E pranon që paraardhësi i tij ka bërë punë të mëdha për forcimin dhe konsolidimin e institucioneve të drejtësisë dhe në avancimin e kornizës ligjore dhe institucionale në reformimin e sistemit gjyqësor dhe konstituimin e profesioneve të lira ligjore.
Por, pavarësisht të arriturave, ai thotë se ende mbetet shumë punë për tu bërë në drejtësi. Thotë se shteti ynë do të bashkëpunoi me Gjykatën Speciale me qëllim të sigurimit të një procesi të drejtë, transparent dhe në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut.
Se ku është drejtësia e vendit dhe cilat janë të arriturat dhe prioritetet e ministrisë së Drejtësisë, për Indeksonline flet ministri Abelard Tahiri.
Jeni në krye të njërës prej ministrive më të rëndësishme në vend, asaj të Drejtësisë, si po e zotëroni këtë pozitë dhe cilat ishin sfidat më të mëdha përgjatë këtij fillim mandati?
Tahiri: Ministria e Drejtësisë është njëra nga dikasteret më të rëndësishme qeveritare. Natyrisht se gjatë periudhës paraprake është punuar mjaftë për forcimin dhe konsolidimin e institucioneve të drejtësisë. Po ashtu është bërë avancimi i kornizës ligjore dhe institucionale në reformimin e sistemit gjyqësor dhe konstituimin e profesioneve të lira ligjore. Është punuar në përmbushjen e prioriteteve që kanë dalë nga proceset integruese me BE-në dhe në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Megjithatë, gjendja ka nevojë të përmirësohet në shumë aspekte dhe ka hapësirë për të bërë më shumë punë, që reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë, të përkthehen me rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, krijimin e sigurisë juridike dhe realizimin efektiv të të drejtave dhe detyrimeve për subjektet e së drejtës në rrugët e përcaktuara ligjore dhe në instancë me të lartë punën për krijimin e Shtetit të së Drejtës.
Jeni zotuar në ndryshime të mëdha në drejtësi, cilat ishin disa nga ndryshimet prej marrjes së postit?
Tahiri: Menjëherë pas emërimit tim si Ministër i Drejtësisë ndër detyrat e mia primare ka qenë hartimi Planit Zhvillimor Strategjik të Ministrisë së Drejtësisë për periudhën kohorë 2018-2021. Me anë të këtij plani kam përcaktuar prioritet kryesore të Ministrisë që jam duke drejtuar. Dhe ky dokument definon rrugën e drejtimit dhe zhvillimit të sistemit të Drejtësisë në këtë periudhë kohore, në mënyrë që përmbushja e obligimeve kushtetuese dhe ligjore, por edhe obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asoccimit (MSA) dhe obligimet tjera ndërkombëtare, të realizojnë avancimin e kornizës ligjore dhe institucionale në reformimin e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës.
Ky plan i zbërthen konkretisht objektivat dhe prioritet e mia si ministër i Drejtësisë sikur se; Sundimin e ligjit, luftën e pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat legjislative që na mundësojnë përfarimin me integrimin ne Bashkimin Evropian, rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, si parakusht themelor për çdo zhvillim tjetër në vend, respektimin e të drejtave të njeriut, qeverisje demokratike, siguri juridike dhe qasje në drejtësi për të gjithë.
Në funksion të zbatimit të këtij plani kam iniciuar edhe reformën në drejtësi që inkorporon një sërë masash, përmes rishikimit/hartimit të Projektligjeve, Projekt-Kodeve dhe Koncept-Dokumenteve në fushat përkatëse të: 1) luftës kundër korrupsionit, me fokus në: 1) koncept-dokumentit për Fushën e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe për deklarimin, prejardhjen e pasurisë; rishikimin e Ligjit për Mbrojtjen e Informatorëve dhe projektligjin për Përgjegjësitë Disiplinore për Gjyqtarë dhe Prokurorë; 2) përmbushjes së obligimeve që dalin nga Agjenda Evropiane si vijon: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, Projektligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, dhe koncept dokumentin për Suspendimin përkatësisht largimin nga puna të zyrtarëve publik; 3) gjyqësorit, përmes hartimit të pakos së ligjeve, që përfshijnë: Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Gjykatat. Rëndësi të veçantë i është dhënë reformimit të fushës penale dhe asaj civile, përmes rishikimit dhe hartimit të Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit të Drejtësisë për të Mitur, si dhe hartimit të Kodit Civil, që do jetë një ndër arritjet më të mëdha të legjislacionit të Republikës së Kosovës dhe 4) bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, me theks në: koncept dokumentin për fushën e Bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje penale dhe koncept dokumentin për fushën e Bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje civile.
Gjykata Speciale vetëm sa po afrohet, ju si ministër sa mendoni se institucionet e Kosovës do të sigurojnë një proces të drejtë dhe transparent?
Tahiri: Dhomat e Specializuara të Kosovës, janë themeluar me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Prandaj, në pajtim me mandatin e tyre, institucionet përgjegjëse të Kosovës do të bashkëpunojnë me qëllim të sigurimit të një procesi të drejtë, transparent dhe në përputhje me normat dhe standardet më të larta të të drejtave të njeriut.
Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar mbrojtje juridike dhe asistencë teknike për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që mund të paraqiten para tyre, në pajtim me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Ligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen financiare të të akuzuarve potencial pranë Dhomave të Specializuara, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Keni deklaruar se sektorit të sundimit të ligjit do t’i shtohen 690 vende të reja pune, kur do të jetë e mundur një gjë e tillë?
Tahiri: Krahas ofrimit të mbështetjes time të plotë për ngritjen e performancës së tyre dhe përmirësimin e llogaridhënies dhe transparencës, gjatë kësaj periudhe jam angazhuar për të orientuar mbështetjen institucionale dhe financiare në drejtim të rritjes së buxhetit me rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të krijojmë mundësi të barabarta për profesionistët e rinj që t’i bashkohen betejës për sistem gjyqësor dhe prokurorial efikas, të pavarur, të paanshëm dhe profesional.
Tashmë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, siç e dini, ka aprovuar në parim Projektligjin për Buxhetin e vitit 2018, përmes të cilit edhe do të realizohet rritja e buxhetit, rrjedhimisht, numrit të gjyqtarëve, prokurorëve, bashkëpunëtorëve profesional dhe kategorive tjera.
Ky hap do të mundësoj zvogëlimin e numrit të madh të lëndëve gjyqësore të grumbulluara dhe administrimin më të mirë të proceseve gjyqësore, rrjedhimisht do të kontribuoj në lehtësimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim.
Cilat janë prioritet e juaja me të cilat do të startoni vitin 2018?
Tahiri: Sundimi i ligjit është përcaktues për cilësinë dhe qeverisjen e mirë. Objektiva kyçe e punës sime është që sistemi i drejtësisë në Kosovë të jetë funksional, profesional, i depolitizuar, i integruar dhe i shtrirë në tërë territorin e vendit. Me qëllim të përmirësimit të gjendjes në sistemin e drejtësisë në përgjithësi, do të angazhohemi në zbatimin e reformave të nevojshme për zhvillimin e një sistemi gjyqësor që do të jetë transparent, duke siguruar funksionalizim të plotë të reformës gjyqësore në pajtim me ligjet e aplikueshme, krijimin dhe përmirësimin e infrastrukturës fizike të gjykatave me qëllim të plotësimit të nevojave që dalin nga reforma.
Agjenda institucionale e këtij viti do të dominohet nga masat e gjithanshme dhe komplekse për zbatimin e reformave substanciale në këtë sferë. Një politikë serioze veçohet nga aftësia e atyre që janë pjesë aktive e saj, për të përcaktuar prioritetet kryesore në këtë sferë. Duke gjykuar mbi këto premisa atëherë mund të arrijmë deri në një konkluzion i shëndosh, se për rrethanat ku ndodhemi, nuk mund të ketë prioritet më të rëndësishëm për shtetin tonë, se sa i angazhim i plotë i institucioneve tona shtetërore për të prodhuar një reformë fundamentale pikërisht në sferën e drejtësisë. Pikërisht nga suksesi në këtë sferë varen edhe shumë procese tjera që nga shtet-konsolidimi, zhvillimi ekonomik, mirëqenia qytetare, siguria e përgjithshme dhe liria individuale dhe kolektive, sepse siç ka thënë me të drejtë Xhon Loku “pa ligj nuk mund të ketë liri”.
Prandaj nismat, iniciativat, ngjarjet dhe masat për ndërtimin e një sistemi sa më efektiv të sundimit të ligjit, do ta mbulojnë kalendarin e ngjarjeve politike për vitin 2018. Por, si kryetemë të kësaj agjende pa dyshim se do ta veçoja Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit. Siç dihet Kosova, si një shtet që ka dalë nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, në kuadër të procesit të shtet-ndërtimit ka kaluar nëpër një rrugë të gjatë dhe të mundimshme tranzicionale në të cilën kanë marrë pjesë institucione të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore si: Kombet e Bashkuara (përmes UNMIK-ut), Bashkimi Evropian (përmes EULEX-it) dhe vetë institucionet tona. Kuptohet që të gjitha këto institucionet, duke qenë të ndryshme, kanë përfaqësuar edhe filozofi diverse sa i përket praktikave të sundimit të ligjit dhe traditave legale. Si pasojë, në Kosovë është krijuar një laramani qasjesh dhe praktikash që ka pasur si pasojë krijimin e një paqartësie në këtë sektor. Andaj, me qëllim të harmonizimit të të gjithë kësaj qasje teorike por edhe praktike ligjore e konsideroj si tepër të nevojshme që në si institucione të Kosovës të ndërmarrim një hap të tillë për të rishikuar, në thellësi dhe gjerësi, sektorin e sundimit të ligjit duke i fashitur traditat dhe qasjet diverse legale dhe duke i harmonizuar ato në një frymë unike në përputhje me kontekstin dhe traditën tonë ligjore. Kështu ky proces do të fokusohet në tre shtylla: 1.rishikimin e kornizës ligjore 2. rishikimin e strukturës së institucioneve të drejtësisë; si dhe 3. rishikimin e proceseve të komunikimit dhe bashkëpunimit midis institucioneve të drejtësisë dhe atyre të zbatimit të ligjit.
Gjithashtu, si Ministri, do të angazhohemi për reformimin e vazhdueshëm të organit të akuzës dhe fuqizimin e tij, si parakusht për luftimin efikas dhe efektiv të kriminalitetit. Jemi të përkushtuar për një prokurori të pavarur dhe të paanshme, me qëllim që, pa kompromis, t’i luftojë të gjitha format e kriminalitetit, duke mbrojtur vlerat me vitale të qytetarit dhe të shoqërisë.
Po ashtu, në fokus të punës time është edhe sigurimi i parakushteve dhe administrimin më efikas të sistemit të ekzekutimit të sanksioneve penale. Do të vazhdohet me ngritjen e kapaciteteve të reja infrastrukturore në Shërbimin Korrektues dhe sprovues të Kosovës dhe rindërtimi i atyre ekzistuese, me ngritjen profesionale të stafit korrektues dhe sprovues dhe ndërmarrja e masave në risocializimin e të dënuarve.
Gjithashtu, nga prioritet e mia do të jenë edhe integrimi i teknologjisë informative për fuqizimin e drejtësisë, fuqizimi i profesioneve të lira ligjore për shkarkim e punës së gjyqësorit, orientimi i donacioneve të jashtme në drejtim të fuqizimit të sistemit të drejtësisë, forcimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe zhvillimi dhe avancimi i statistikave të sistemit të drejtësisë.
Ndër prioritetet e punës time në vitin 2018, do të jetë Avokatura Shtetërore. Aktualisht jemi në proces të organizimit dhe funksionalizimit të mëtejmë dhe jam i vendosur për ta fuqizuar në aspektin profesional për të arritur nivel sa më të mirë të kompetencës dhe performancës në mënyrë që të sigurojë mbrojtje dhe përfaqësim efektiv dhe dinjitoz të interesave të Republikës së Kosovës, në cilindo kontest ligjor të brendshëm apo ndërkombëtar.
Ndërsa, jemi duke i kushtuar kujdes të veçantë zbatimit të aktiviteteve që janë në funksion të objektivave dhe prioriteteve programore të Qeverisë. Këtu hyjnë përmbushja e obligimeve që dalin nga Agjenda Evropiane në fushëveprim të MD, prioritetet e përfshira në Planin e Veprimit për zbatimin e Programit të Qeverisë, Planin Vjetor i Punës, procesin e liberalizimit të vizave dhe dokumentet tjera përkatëse.
Pronari i një restoranti në Vushtrri kapet në flagrancë duke...
Shërbimi Korrektues nesër mban Maratonën “Vrapimi i Nd...
Përkeqësimi i motit sjell probleme me energjinë dhe rrugë të...
“Mbaje përgjegjësinë”, Sara e rreptë me Drilonin – por pse?
Dardan Berisha: Kosova ndaj Irlandës do ta tregojë fytyrën e...
Njëmbëdhjetë persona të vrarë nga sulmet e Izraelit në Bejru...