Google ADS

Tahiri: Habitem me deklaratën e QUINT-it

12:02 | 15 Gusht 2019
Arbresh.info

Pavarësisht faktit që shtetet e QUINT-it kanë kërkuar vazhdimin e menjëhershëm të dialogut dhe heqjen e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe, asnjëra prej partive politike nuk është deklaruar pro heqjes së tarifës. Përkundrazi, përfaqësues të subjekteve politike rëndësi të veçantë u kanë kushtuar zgjedhjeve të parakohshme, pas të cilave duhet të rinisë dialogu, shkruan agzeta “Zëri”.

Për këtë çështje, ish-kryenegociatorja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se Kosova nuk është e përgatitur që t’i rikthehet procesit të dialogut në kohën kur po kërkohet të mbahen zgjedhjet e reja.

“Në këtë kohë kur Kosova nuk ka institucione legjitime, për faktin se qeveria është e dorëhequr dhe kur të gjitha partitë kërkojnë të mbahen zgjedhjet, mendoj se Kosova nuk është e përgatitur që ta vazhdojë dialogun e Brukselit. Vetëm pasi të krijohen institucionet legjitime, të zgjedhura nga vota e lirë e qytetarëve, Kosova mund të vazhdojë me dialogun”, ka theksuar ajo për gazetën.

Sipas Tahirit, vendet e QUINT-it para se të bëjnë thirrje për vazhdim të dialogut është dashur të angazhohen rreth heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. “U habita që shtetet e QUINT-it po merren me dialogun në vend se të angazhohen që qytetarët e Kosovës të merren me liberalizimin e vizave, sepse sot qytetarët e Kosovës janë më të izoluarit në Evropë”, ka potencuar ajo.

Ndërkaq Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit për dialogun në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ka thënë se deklarata e vendeve të QUINT-it nga KDI-ja shihet si mbështetje ndaj dialogut dhe ndaj të dyja palëve të përfshira në këtë proces. Procesi i dialogut pas rifillimit sipas Krasniqit duhet të drejtohet nga ana e kryeministrit të Kosovës. “Për ne si KDI është e rëndësishme që procesi i dialogut të mbështetet nga shtetet mike dhe ky proces të udhëhiqet, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, nga ana e kryeministrit, në koordinim me presidentin dhe me mbikëqyrjen e plotë të Kuvendit”, ka shtuar ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme