Tahiri: Fuqizimi i sundimit të ligjit imponon sektor privat efikas

12:17 | 7 Shkurt 2019
Arbresh.info

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në një mëngjes pune, takoi sot anëtarët e Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, me të cilët bisedoi për fuqizimin e sektorit të sundimit të ligjit, me theks të veçantë në krijimin e ambientit të përshtatshëm për të bërit biznes.

Nisur nga rëndësia që zhvillimi i biznesit ka në ekonominë e Republikës së Kosovës, ministri Tahiri ka bërë të ditur se në kuadër të procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, ka përfunduar analiza e segmentit të drejtësisë komerciale, e cila fuqishëm ka rekomanduar krijimin e një gjykate të veçantë që do adresonte vetëm çështjet e aktorëve të biznesit.

“Përmes krijimit të Gjykatës Komerciale, do të mundësohet krijimi i një adrese të vetme për zgjidhjen e rasteve komerciale, e cila do mblidhte gjyqtarë të profilizuar për zgjidhjen e rasteve të këtilla. Po kjo Gjykatë do të zvogëlojë kohëzgjatjen e tanishme të procedurave gjyqësore me të cilat ballafaqohen bizneset në kuadër të Departamentit për Çështje Ekonomike të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Mbi të gjitha, kjo Gjykatë do ofrojë qasje më të lehtë në drejtësi dhe zgjidhjen e rastit në kohën e arsyeshme, parime këto themelore të një gjyqësori efikas dhe shteti ku sundon sundimi i ligjit” ka thënë ministri Tahiri.

Ministri Tahiri është shprehur i kënaqur që platforma e Rishikimit Funksional iu ka mundësuar bizneseve krijimin e hapësirës ku mund të shprehin problemet me të cilat ballafaqohen dhe së bashku me aktorë tjerë të gjyqësorit, shoqërisë civile e partnerëve ndërkombëtarë, të diskutojnë mbi zgjidhjet potenciale që do të përmirësonin gjendjen aktuale në kuadër të këtij sektori, thuhet në komunikatën për media.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme