Tahiri flet për vendimin e Qeverisë për themelimin e Zyrave Komunale të Energjisë

08:48 | 2 Shtator 2017
Arbresh.info

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e Zyrave Komunale të Energjisë, përmes një udhëzimi administrativ.

Sipas Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, koston për organizimin e këtyre zyrave do ta bartin komunat përkatëse, shkruan arbresh.info.
Njohës të Pushtetit Lokal thonë se ky është një vendim i mirë dhe se duhet të jetë në program për dhjetë vjeçarin e ardhshëm.

Besnik Tahiri, njohës i kësaj fushe ka thënë për arbresh.info se Zyrat Komunale të Energjisë kanë rëndësi të madhe në aspektin energjisë së ripërtërishme.

“Zyrat e energjisë pranë komunave kanë rëndësi të madhe për dy çështje, në aspektin energjisë së ripërtërishme që është burim shumë i mirë i energjisë alternative në shumë komuna të Kosovës.

E di që në një pjesë veç kanë filluar punë në: Pejë, Deçan, Junik, Kaçanik e kështu me radhë. Diku mbi shtatë deri në dhjetë komuna veçse kanë filluar disa burime të energjisë së ripërtërishme”, ka thënë ai.

Ai më tutje sqaron rëndësinë e këtyre zyrave të cilat sipas tij kanë rëndësi të madhe për shkak të efiçencës së energjisë.

Tahiri thotë se shumica e institucioneve dhe ndërtesave publike janë nën menaxhim të komunave të cilat duhet të rrisin vetëdijen për efiçencën e energjisë.

“Këto zyra kanë rëndësi më të madhe për atë që quhet efiçencë e energjisë, pasi që shumica e institucioneve publike, ndërtesat e mëdha publike, shkollat fillore, shkollat e mesme, Qendrat e Mjekësisë Familjare, Qendra kryesore e mjekësisë familjare, qendrat e Punës dhe Mirëqenies Sociale, gjitha këto janë në menaxhim të vetë komunave, pra komunat duhet ta rrisin vetëdijen për efiçencën e energjisë dhe në këtë formë ndihmojnë sa ma shumë që energjia të mos hup, po të njëjtën kohë të prodhohet prej burimeve alternative”, ka sqaruar ai.

Tahiri poashtu ka thënë se që nga viti 2008, ekziston Ligji për Vetëqeverisje Lokale i cili i jep komunës kompetenca, por problemi kryesor sipas tij qëndron tek mungesa e fondeve.

“Problemi është se deri tash, që dhjetë vite, prej vitit 2008 ne kemi Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, që ka zbrit kompetenca të mëdha te komunat, dhjetë vite ajo çka ka ndodh permanent, kanë zbrit përgjegjësi, janë hap zyre, dikastere nëpër komuna por nuk ju kanë dërguar edhe fonde. Në qoftëse Qeveria nuk e zbret në të njëjtën kohë me përgjegjësi, edhe financat, resurset, kapacitetet, do të jenë dështim”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa i pyetur për koston e zbatimit të kësaj rregulloreje dhe atë se a është ngarkesë për një komunë, ai ka thënë se kostoja varet nga kapacitetet që kanë komunat.

“Këto momentalisht janë të hapura në një vendim si zyre, kostoja varion prej komunës në komunë. Komuna e Prishtinës ka 48 fshatra dhe në 48 fshatra ka mbi 50 shkolla ose mbi 50 qendra të mjekësisë familjare , pra duhet të varion prej komunës në komunë në mënyrë që të ecë. Në qoftëse nuk zbret me këtë përgjegjësi edhe burimi financiar, kapaciteti dhe mbështetja e saktë do te dështojnë”, ka treguar ai./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme