Google ADS

Tahiri: Dorëheqja e Haradinajt u ngrit si aktakuzë nga oportunistët burracakë

20:59 | 25 Korrik 2019
Arbresh.info

Koordinatori Nacional për Reforma, Besnik Tahiri, i ka quajtur të çuditshme tendencat për shtrembërimin dhe politizimin e veprimit të Ramush Haradinajt për dorëheqjen e tij nga posti i kryeministrit.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se është edhe më e habitshme që këto tendenca vijnë nga disa adresa politike e publike, të cilat sipas tij, derdhin lot krokodili për atë se si Kosova nuk ka lidership që ruan interesat e vendit.

Sipas Tahirit, është anormale që veprimet e një udhëheqësi të Luftës të vihen në peshojat oportuniste prej më të ulëtave.

“Ju lutem imagjinoni një situatë, ndonëse vështirë ta bëni, kur kryeminstri Haradinaj do të paraqitej në Hagë pa ofruar dorëheqjen siç bëri javën që shkoi. Të njëjtit kujdestarë oportunistë do të ndërtonin një mal akuzash, se si ndodhi që vendi të degradonte deri aty sa edhe Kryeminstri i vendit duhet të merret në pyetje, pa dhënë dorëheqje,e se si në mediat ndërkombëtare ai la nam të keq”, shkruan ai.

Sipas tij, disa do të thonin që për të ruajtur pushtetin Haradinaj është transformuar në njërin nga ata që ishin mësuar t’i shihnim në qeverisje e pushtet. Pra, sipas tij, ato në vlerësimet e tyre sido që të veprojë Haradinaj, e nxjerrin të njëjtin epilog të deformuar e dashakeq.

Tahiri shton se, Haradinaj, në qasje dhe të vepruar politik e patriotik, nuk mund të matet as vlerësohet nga ata që nuk e njohin as dhembjen as sakrificën.

“Ai madje edhe kur është në dijeni të tyre, nuk do as t’ia dijë! Është vetëm koha ajo e cila do t’i amortizojë goditjet e ulëta, dhe do t’i amplifikojë efektet e një akti të përmasave strategjike e nacionale. Janë aktet dhe të vepruarit me dinjitet të kryeminstrit Haradinaj, ato të cilat po hapin rrugë për energji të reja dhe të pastra”, thotë ai.

Sipas tij, kryeminstri Haradinaj, shkoi në Hagë siç është, i pastër si loti, por akti i tij fisnik doli të ngritej si një aktakuzë për oportunistët burracakë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme