Në ambientet e TechPark Prishtina, sot u përuruan këndi dhe platforma më e re “Made in Kosova”, që vjen si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe agjencisë amerikane USAID.
“Made in Kosova” apo MIK synon të jetë dritarja e parë digjitale institucionale e cila do të përmbush interesimin e njerëzve për të mësuar më shumë për realitetin e potencialin ekonomik, kulturor e turistik të vendit tonë, njofton ZMK përcjell Arbresh.info.
Në fjalën e tij hyrëse, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu se ky projekt prezanton potencialin, kreativitetin dhe veprimtarinë e vendit tonë, drejt një njohje të gjerë e një tregu ndërkombëtar përmes misioneve tona diplomatike e konsullore.
“Platforma “Made in Kosova” nuk është simbolike, por përmban informata të detajuara mbi dhjetë sektorët kyç të vendit tonë, me shifra të cilat jo vetëm iu shërbejnë investitorëve potencial por që tregojnë transparencën me të cilën qeveriset vendi ynë”, tha ai.
“Nëse hyn te sektori i verërave për shembull, ke mundësi ta shohësh saktësisht sa hektarë vreshta janë në Rahovec, Suharekë e Malishevë. Ndërsa te përpunimi i drurit figuron që industria në fjalë kishte 1 miliardë euro qarkullim në 5 vitet e fundit. Gjithashtu, platforma krijon mundësi të komunikimit direkt, të kërkesës për vizitë, të cilën MPJD-ja e lidhë me departamentin përkatës. Kështu që “it got lost in the mail” nuk vlen më as për dërguesit e porosisë e as për të cilët e pranojnë atë”, shtelloi më tej ai.
Tutje shtoi se platforma krijon mundësi edhe të komunikimit direkt, të kërkesës për vizitë, të cilën Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e lidhë me departamentin përkatës.
Ndërkaq, këndi fizik i “Made in Kosova” mundëson që prodhuesit, artistët dhe sipërmarrësit tanë të shfaqen në çdo mision diplomatik.
Sipas Kurtit, synimi i platformës dhe këndit MiK është të ndërtojë një imazh të fuqishëm dhe të besueshëm të Kosovës, duke shtrirë mundësitë për bizneset vendore për të hyrë në tregje të reja dhe për të tërhequr drejtpërdrejtë investime të huaja.
Gjersa po jetësohen këto iniciativa, kryeministri kujtoi mungesën e një platforme të tillë deri më sot, ku si pasojë Kosova qëndroi e izoluar për shumë vite jashtë vëmendjes që pothuajse të gjitha shtetet evropiane e gëzojnë.
“Sot, ne shpalosim vendin ku mund të shihet potenciali dhe puna e vendit tonë. E me emrin e kësaj platforme, ne nderojmë miqësinë kosovare dhe të gjithë ata që shërbyen si diplomatë të vendit tonë, para se të kishte ministri të punëve të jashtme e aq më pak ambasadorë”, tha ai.
Zëvendëskryeministrja Gërvalla, në fjalën e saj hyrëse, u shpreh se Platforma MIK do të ofrojë informata rreth industrive kryesore të Kosovës, të bërit biznes në Kosovë, turizmit, eksportit, ngjarje të ndryshme, si dhe informata tjera relevante për mërgatën dhe të interesuarit për biznesin, kulturën dhe turizmin në Kosovë.
“Ambasadat, konsullatat dhe misionet tona gjithandej botës, angazhohen edhe në promovimin e bizneseve tona vendore, në rritjen e eksportit dhe rrjetëzimit të bizneseve tona me atë të diasporës dhe me bizneset e huaja. Platforma MIK do të jetë një ndihmesë e madhe edhe në këtë drejtim. Kështu ne rrisim ekonominë tonë, kështu rrisim punësimin, ndalim migrimin e të rinjve, marrim përvoja të reja dhe fuqizojmë imazhin tonë në botë”, tha ajo.
Duke qenë fryt i bashkëpubimin me USAID, me rastin e lansimit të platformës sot, si një nga folësit kryesor ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Në fjalën e tij, krahas rëndësisë edhe potencialit të sektorin privat në Kosovë, ai foli edhe për bashkëpunimin rreth krijimit të platformës “Made in Kosova”, për të cilën ai tha se do të krijojë hapësirë për diçka shumë të rëndësishme siç është diplomacia komperciale, duke i ofruar investitorëve potencialë të dhëna praktike rreth Kosovës dhe mundësitë për investime.
Ndërkaq, zëvendësministrja Liza Gashi teksa falënderoi të gjithë hisedarët që kanë ndihmuar në këtë platformë, dha detaje rreth idesë, zhvillimit dhe punës deri në krijimin dhe lansimin e saj sot. Ajo foli për zanafillën e projektit të bazuar në analiza dhe të dhëna që kanë treguar për nevojën për një platformë që i përgjigjet interesimit të vizitorëve të shumtë në misionet tona diplomatike./Arbresh.info
Gjykata e Francës e mban në fuqi dënimin e Sarkozyt për korr...
Presidentja e Sllovenisë me komandantin e KFOR-it: Jeni një ...
Familjarët e të pagjeturve kërkojnë presion më të madh mbi S...
Dasara Karaiskaj për Parashqevi Simakun: Atë grua e përçudnu...
Shqipëria trajnon ushtarët ukrainas në Komandën e NATO-s
Real Madrid e fiton Kupën Interkontinentale