Google ADS

Sylejmani rrëfen zhurmën e frikshme që lëshoi droni gjatë rënies së tij

20:30 | 23 Mars 2022
L G

Abdyl Sylejmani në oborrin e të cilit sot ra droni, i cili më vonë u konfirmua se i takon misionit paqësor të NATO-s në Kosovë, KFOR, rrëfen për arbresh.info momentin e rënies së këtij droni ushtarak në oborrin e tij.

Zhurma dhe shpejtësia e rënies së dronit në oborrin e tij, nuk kishte frikësuar veç Sylejmanin, por edhe fqinjët.

Derisa ishte duke punuar në lokalin e tij pranë shtëpisë, Sylejmani thotë se dëgjoi një zhurmë jo të zakonshme dhe së bashku me fqinjët shkuan me vrap në oborrin e tij, ku panë dronin.

“Unë kam qenë duke punuar në lokalin tim, këtu afër shtëpisë dhe e kemi dëgjuar një zhurmë, kena dal kur i kam pa komshinjtë afër shtëpisë sime. Kemi ardhur drejt në oborr dhe e kemi parë, jemi afruar e kemi parë që është një dron jo i zakonshëm, e kemi kontrolluar dhe kemi parë aty disa kamera, disa gjëra që i kemi parë vetëm në disa drona luftarak”, shprehet Sylejmani.

Ai tregon se menjëherë ka lajmëruar Policinë e Kosovës, shkruan arbresh.info.

“Menjëherë e kemi lajmëruar policinë, ata kanë ardhur menjëherë dhe në momentin që e kanë parë dronin e kanë thirr edhe një patrullë tjetër policore. Kur ka ardhur patrulla tjetër, e kanë bërë kontrollimin e dronit, i kanë bërë matjet e tij. Pastaj e kanë marrë dronin dhe ne nuk na kanë lejuar më të afrohemi derisa i kanë kryer të gjitha procedurat e tyre”, shprehet Sylejmani.

Sipas tij, shpejtësia e dronit gjatë rënies ishte teje e madhe dhe trishtueshme.

“Droni nuk ka bërë ndonjë dëm, apo të lëndoj dikë, mirëpo e ka pasur një zhurmë trishtueshëm. Komshinjtë dhe ne, normal jemi frikësuar pak, por edhe jemi befasuar me rënien e dronit, pasi shpejtësia e tij ishte e madhe”, tregon ai.

Ndryshe, KFOR-i ka deklaruar se droni, i cili ra sot në oborrin e Abdyl Sylejmanit nga Mitrovica i takon këtij misioni.

Në një përgjigje për arbresh.info, KFOR-i ka bërë të ditur se droni po kryente një mision rutinë monitorimi në mbështetje të aktiviteteve të këtij misioni.

“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja konfirmon se një nga dronët e tonë u ul në një kopsht privat në zonën e Mitrovicës, si pasojë e mosfunksionimit. Droni nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz apo dëme materiale dhe është nxjerrë nga Forca Policore e Kosovës menjëherë pas uljes së tij”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it./arbresh.info/

LEXO EDHE

Droni i KFOR-it ra në oborrin e tij, rrëfen Abdyl Sylejmani nga Mitrovica – Arbresh.info

 

Të ngjashme