Google ADS

Sylejman Selimi: Votojeni demarkacionin, lirojeni popullin nga burgu

13:03 | 22 Shkurt 2018
M. A.

Në një intervistë të shkurtër telefonike nga burgu i Dubravës, ish-Komandanti i Përgjithshëm i UÇK’së, Sylejman Selimi ka thënë se “ndoshta unë jam i fundit që duhet të flisja për këtë temë, a për çfarëdo teme tjetër, sepse ndodhëm në burg, mirëpo politikanët e Kosovës mos ta mbajnë në burg të gjithë popullin”. Prandaj, ai bën thirrje të votohet demarkacioni.

Një prej emblemave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, i ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojnë marrëveshjen për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi. Selimi, në një deklaratë nga burgu, i bën thirrje politikes kosovare që “ta lirojnë popullin nga burgu”.

Sylejman Selimi, i cili po vuan dënimin për krime lufte, ka bërë sot një deklaratë për Gazetën Express, ku i bën thirrje deputetëve që ta votojnë demarkacionin me Malin e Zi.

Ai aktualisht ndodhet në burgun e Dubravës dhe porosia e tij për politikanët kosovarë është jashtëzakonisht emocionale.

“Votojeni demarkacionin”, ka thënë ai, ekskluzivisht për Gazetën Express.

“Lirojeni popullin nga burgu”, ka shtuar Ish-Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Selimi ka thënë se Mali i Zi i ka hapur rrugë Kosovës që ta përmbyll këtë proces që po e lë Kosovën të izoluar nga bota.

“Le të ulën me Malin e Zi, le t’i sqarojnë dilemat që kanë mbetur”.

Selimi shtoi se ideali i luftëtarëve të UÇK’së ka qenë liria e popullit.

“Liria e popullit të Kosovës ka qenë ideali ynë”, ka thënë ai.

“Deputetët nuk duhet të na bëjnë horë. Secili ushtar i UÇK’së që sot është në Kuvend duhet ta dijë për çka kemi luftuar. Nuk e kemi bërë këtë për t’u izoluar nga bota”, ka deklaruar Selimi për Gazetën Express.

“Ndoshta mua nuk me bjen të flasë për këtë, sepse gjendem në burg, por ju e latë krejt popullin në burg”, përfundon Selimi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme