Syla: Nuk kemi nevojë për heshtje nga Vuçiqi, por për kërkimfalje

13:57 | 9 Tetor 2020
V. S.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Syla, ka publikuar fotografi të masakrave në Kosovë.

Ai përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se në Batajnicë e cila është rreth 25 kilometra larg kryeqytetit serb, ku e ka selinë edhe presidenti Vuçiq dhe qeveria e tij, 744 shqiptarë të Kosovës të paarmatosur, në mesin e të cilëve shumë gra, fëmijë e pleq, u privuan nga jeta, u privuan edhe nga e drejta për varrim dinjitoz.

Postimi i plotë:

Batajnica e Vuçiqit

Batajnica është rreth 25 kilometra larg kryeqytetit serb, ku e ka selinë edhe presidenti Vuçiq dhe qeveria e tij. 744 shqiptarë të Kosovës, që të gjithë të paarmatosur, në mesin e të cilëve shumë gra, fëmijë e pleq, pasi u privuan nga jeta, u privuan edhe nga e drejta për varrim dinjitoz.

Poligoni i Policisë në Batajnicë ishte vend i përshtatshëm për mbulimin e krimeve të gjenocidit serb mbi Kosovën.

Fati në fatkeqësi! Një prej personave që bartën kufomat, nuk iu dha apartamenti i premtuar, andaj, zbuloi sekretin e tmerrshëm. Zhvarrimet filluan me 2001, e gjenerali policor Vllastimit Gjorgjeviq, kishte pranuar pjesëmarrjen e policisë në këtë krim makabër.

Ne nuk kemi nevojë për minutat e heshtjes nga Vuçiqi, por për kërkimfaljen e tij për gjenocidin ndaj shqiptarëve.

Në Batajnicë, janë gjetur mbetjet mortore të 23 viktimave të masakrës së Suharekës ku e pësuan edhe 49 anëtar të familjes Berisha, në mesin e të cilëve 23 fëmijë, një shtatëzëne dhe një plakë 100 vjeçare.

Aty u gjetën, 66 mbetje mortore nga masakra e Vushtrrisë (22 maj 1999), të moshave 15 deri 77 vjeç. 29 mbetje mortore të masakrës së Lybeniqit (1 prill 1999), të moshave 15 deri 87 vjeç.

Në Batajnicën e Vuçiqit, janë gjetur edhe mbetjet e 51 viktimave të masakrës në Korenicë (27 prill 1999), të moshave 15 deri 75; mbetjet e 252 viktikave të masakrës së Mejës të ndodhur po të njëjtën ditë.

Aty përfunduan edhe 16 antarët e familjes Mirena të vrarë në Nakaradë me 21 prill 1999.

Nga qyteti ku unë jetoj, Peja, në Batajnicë u gjetën mbetjet mortore të 40 personave, të vrarë me 27 mars 1999, nga mosha 17 deri 92 vjeç. 78 mbetje mortore të personave të vrarë mes 7 dhe 11 majit 1999 në Gjakovë, po ashtu u gjetën në Batajnicë.

Lista nuk mbaron këtu. Janë mbetjet e 30 personave të vrarë në Fushë Kosovë (24 mars – 1 prill 1999), 16 nga Sllovia ( 16 prill 1999), 5 nga masakra në Landovicë (26 mars 1999), e shumë viktima të tjera, vëllezër e motra tona, nga 15 e deri ne 91 vjeç të vrarë në krime individuale apo grupore anekënd Kosovës.

A ju kujton diçka ky krim i dyfishtë? Vrasje dhe mohim i varrimit dinjitoz?

Shpresoj që fashizmi mos të lind më. E Serbia me të cilën ne luftuam, të mbetet shteti i fundit fashist në Evropë.

Në katër fotografitë që kam publikuar, e që janë me mijëra të tilla, këto krime dëshmohen edhe nga mjekë specialist gjyqësor serb.

Lavdi për të rënët, bashkndjejmë me ata që të dashurit e tyre u gjetën në Batajnicë. Sytë e tribunaleve ndërkombëtare, të shohin këto krime, sepse ne nuk mjaftohemi me dënime qesharake e të pjesshme që janë dhënë. Ne duam drejtësi të plotë. E drejtësia është themeli i demokracisë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme