Google ADS

Syla: Në LDK kryetari s’mund të ngrihet në këmbë, por s’e lëshon partinë

22:02 | 3 Prill 2019
Arbresh.info

Analisti politik Valon Syla duke folur për procesin e brendshëm zgjedhor në LDK ka komentuar edhe kandidaturat e mundshme për të parin e kësaj partie.

“LDK është parti tipike tradicionale kosovare ku zonat e përcaktojnë pak a shumë edhe shijen politike”.

“Në LDK njerëzit po heshtin, kemi një kryetar që është në gjendje jo të mirë shëndetësore, por me ambicie që ta mbajë partinë. Edhe pse njerëzit në LDK nuk po flasin shihet se Avdullah Hoti është zgjatje e Isa Mustafës i cili në një mënyrë ose tjetër po e mabn trashëgiminë politike të asaj klike”.

“Në anën tjetër kemi një lider të suksesshëm komunal që i ka fituar zgjedhjet tri herë me radhë që nuk mund të hyjë në zgjedhje nacionale sepse gjithmonë i thonë ‘rri në Gjilan dhe fitoj zgjedhjet’. Lutfi Haziri është një nga garuesit favorit në garën e ardhshme të LDK-së”.

“Lutfi Haziri duket se ka pakt të heshtur me Agim Veliun në Llap që po ashtu është zonë që gjithsesi determinon kandidatin që mund të konsiderohet favorit në LDK”.

Syla në Zona B të Klan Kosovës ka folur edhe për zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen në partinë që drejtohet nga Kadri Veseli.

Ai ka kritikuar frymën në PDK duke thënë se kjo parti ka nevojë për rifreskim.

“PDK duket në depresion – është në komë dhe i nevojitet një shok terapi që Kadri Veseli shihet qartë që nuk e ka recetën që ta japë”.

“PDK-ja është një parti e koncentruar në një grup që nuk përfaqëson as 10 % të elektoratit të përgjithshëm. Kjo shihet qartë me emërimin e ministrave, personat që marrin vendime dhe ata që flasin në publik”.

“Është një PDK gjysmake në depresion dhe kjo është normale pas 10 vjetësh në qeverisje që tregon nevojë për ajrosje. PDK definitivisht ka nevojë për ajrosje”.

Syla ka thënë se nuk e beson se Partia Demokratike e Kosovës mund të dalë e treta, ashtu si ka deklaruar analisti tjetër, Rrahman Paçarizi po në Zona B të Klan Kosovës.

“Nuk pajtohem që PDK-ja mund të jetë e treta duke pasë parasysh real politikën. Besoj se prej gjithë këtyre zgjedhjeve që kam përcjellë si gazetar, PDK nuk mund të ketë më pak se 156-157 mijë vota që lidhen direkt me numrin e votës klienteliste – polici, ushtri, administratë – nuk besoj që ka evoluar aq shumë votuesi duke pasë parasysh që një parti si Nisma ka gjithmonë 5 % ose Agim Bahtiri fiton dy herë në Mitrovicë”.

Ai ka pasë kritika për PDK-në dhe LDK-në që ai i konsideron si dy partitë e forta tradicionale.

“PDK dhe LDK nuk kanë arritur të ofrojnë për elektoratin bollshëm që ai të regjistrojë ndryshimin që ne e konsiderojmë si ndryshim i evoluar”.

“Ajo çfarë i mungon sot LDK-së dhe PDK-së është një lidership i fuqishëm. Në LDK kemi një lidership të sëmurë, në kuptimin që e kemi një kryetar që nuk mund të ngrihet në këmbë, por nuk e lëshon partinë”.

“Të gjithë pajtohen që Isa Mustafa nuk është mjaft potent që ta çojë LDK-në në fazën tjetër, por askush nuk e ka guximin të deklarohet për diçka të re”.

“Në PDK kemi një kryetar që nuk e dimë saktë se cili është qëndrimi i tij. Kadri Veseli nuk është i qartë se cili është qëndrimi i tij për bisedimet me Serbinë, se çka është PDK – a është neokonservative, a është ajo e vjetra apo mjafton identitei me UÇK-në –  i mungon identiteti seriozisht”.

Sipas tij, garë në PDK do të kishte vetëm nëse Nisma do të ishte pjesë e brendshme e PDK-së.

Analisti Syla ka konstatuar se të gjitha partitë janë të pakënaqura, por askush nuk e  ka një opsion tjetër.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme