Sveçla thotë se caktimi i seancës më 22 gusht mund të jetë lojë e presidentit Thaçi

11:08 | 7 Gusht 2019
Arbresh.info

Caktimi i datës 22 gusht për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj, për Lëvizjen Vetëvendosje po konsiderohet datë e vonë dhe enigmatike.

Deputeti nga radhët e LVV-së, Xhelal Sveçla, ka thënë për Ekonomia Online se një prej arsyeve të caktimit të kësaj date ka të bëjë me një lojë të presidentit Hashim Thaçit.

“Ne kemi kërkuar që seanca të mbahet sa më shpejtë, të shpërndahet Kuvendi dhe të kalojmë në procedura të tjera deri tek zgjedhjet e parakohshme të cilat do të nxirrnin forca më legjitime për të udhëheq procese para të cilave Kosova gjendet. Tash, pse kaq vonë, kjo është enigmë për ne. I vetmi dyshim që na bie në mend është ndonjë lojë e momentit të fundit të presidentit meqenëse kemi përvoja jashtëzakonisht të hidhura politike me të”, ka thënë ai.

Ai e mohon krijimin e një qeverie teknike, por shprehet se tentativa për këtë do të ketë.

Sipas tij, kjo do të bëhet me qëllim të vonesës së procesit zgjedhor.

“Ne dyshojmë që mund të tentohet, por nuk mendojmë se do të ndodhë, për shkak se edhe reagimi edhe opozita do të jetë jashtëzakonisht e fuqishme kundër kësaj. Jam i bindur se askush nuk do të pranojë ta bëjë këtë, duke parë paraprakisht rezultatin e çfarëdo lloj tentative të këtillë por nuk mohohet rreziku nga tentativa të tilla me qëllim të zhagitjes së procesit”, thotë ai.

Sipas tij, VV-ja mund të bëjë ndryshimin substancial, nëse në krye të Qeverisë vjen Albin Kurti.

“Në skenën politike në Kosovë, janë dy pole politike, ai i ndryshimit dhe ai i vazhdimësisë. Poli i vazhdimësisë është PDK e cila ka kapë shumicën e institucioneve dhe shtetin në përgjithësi dhe është LVV e cila është garant i ndryshimit substancial. Duke qenë kështu, ne jemi të vendosur se i vetmi garant i ndryshimit është Albin Kurti si kryeministër i ardhshëm i Kosovës”, thotë ai.

Sveçla thotë se nuk do të hyjnë në koalicion me partitë që kanë abuzuar me shtetin, por nuk përmend se cilat janë ato.

“Ne kemi vija të kuqe për të gjitha ato subjekte të cilat sjellin vazhdimësi dhe tashmë dihet se ato subjekte të cilat kanë qeverisur deri tani apo satelitët e tyre, janë një lloj vazhdimësie e kësaj situate ku shoqëria është në këtë gjendje”, thotë ai.

Kryesia e Kuvendit ditë më parë caktoi 22 gushtin, si datë për të votuar për shpërndarjen e Kuvendit, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme