Google ADS

Sveçla thotë se bisedoi me Sarrazinin për kontrollin e mallrave serbe në Merdare

13:55 | 30 Tetor 2024
Q L

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të mërkurën se bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për masën e kontrolleve manuale të sigurisë për mallrat nga Serbia që hyjnë në Kosovë.

Më 7 tetor, Qeveria e Kosovës e zëvendësoi vendimin për ndalimin e importit të mallrave me origjinë nga Serbia me një të ri që lejon importin, por vetëm përmes kufirit në Merdare dhe me kontroll të detajuar të sigurisë.

Vendimi i saj erdhi pas një trysnie të vazhdueshme nga Gjermania.

“Zyrtarët tanë shtetërorë po e zbatojnë këtë vendim me përkushtim, me qëllim të garantimit të sigurisë së vendit tonë deri në funksionalizimin e sistemeve të skanerëve ‘X’, që do të lehtësojnë edhe punën e tyre edhe pritjet në pika kufitare”, tha Sveçla në Facebook.

Në vendkalimet e tjera u paralajmërua se do të lejohet importi vetëm kur të sigurohen skanerët, të cilët do t’i ndihmojnë Doganës së Kosovës në kontrollin e mallrave, pa ndërhyrje fizike.

Ambasada gjermane tha se blerja e këtyre skanerëve është në proces, “në përputhje me të gjitha rregullat dhe rregulloret e vlefshme për prokurimin publik”.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha më herët se do ta monitorojë procesin e importit të mallrave nga Serbia, pasi vendi i tij i kërkoi Kosovës heqjen e ndalesës, në mënyrë që të zhbllokohej CEFTA, apo Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore, dhe të përparonte Procesi i Berlinit – një nismë kjo që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Sveçla tha se e falënderoi Sarrazin për “angazhimin e tij të vazhdueshëm në avancimin e bashkëpunimit rajonal”.

“Diskutuam për ecurinë e takimit të fundit të Procesit të Berlinit dhe rikonfirmova përkushtimin tonë si palë aktive për angazhim të mëtejmë në kuadër të këtij procesi”, tha ai./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme