Sveçla: Terrorizmi dhe ekstremizmi mbeten kërcënimet më serioze në botë, bashkëpunimi në mes shteteve është esencial në luftimin e tyre

10:15 | 20 Shtator 2022
E.H

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla sot mori pjesë në konferencën ndërkombëtare: Ndërtimi i Reziliencës.

Ministri Sveçla, tha se terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm mbeten kërcënimet më serioze në mbarë botën.

“Përveç ekstremizmit të motivuar nga keqpërdorimi i religjionit që ka qenë prezent deri tani, format e tjera të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm janë në rritje. Aktet e ndryshme kriminale vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë në Kosovë, përfshirë edhe sulmet e shtyra nga grupet politike që kanë për qëllim destabilizimin e vendit. Institucionet tona janë të përkushtuara që të përshtatin format dhe veprimet për tu ballafaquar me format e reja të ekstremizmit dhe terrorizmit. Bashkëpunimi në mes shteteve është esencial në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit. Kam vazhduar të shtyjë përpara qasjen në parandalim dhe duke i kushtuar vëmendje të veçantë grupeve të cenueshme në vend siç janë gratë dhe fëmijët”, theksoi ai.

Ministri tha se këto fenomene që askush s’mund ti luftojë i vetëm, puna e përbashkët është rruga më e qëndrueshme për ti trajtuar ato.

“Përgjatë viteve ne si shoqëri filluam të përballemi me problemin e radikalizimit dhe terrorizmit, institucionet në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë filluan të zhvillojnë masa operative dhe strategjike për tu përballur me këtë kërcënim të ri. Në bazë të punës së deritanishme në luftimin e terrorizmit, institucionet e Kosovës kanë bërë hapa të mëdhenj në trajtimin e këtij problemi, në trajtimin e çështjeve në parimet e bazuara të njeriut dhe nevojës për të qeverisur në një shoqëri pa dallim. Republika e Kosovës ka qenë shumë aktive në marrjen e masave në parandalimin e terrorizmit dhe ekstremizmit. Për tu ballafaquar me ekstremizmin dhe terrorizmin Kosova ka përdorur dy qasje kryesore, që përfshinë hetimin, arrestimin dhe dënimin e atyre që janë bashkuar në konflikte të huaja përkrahë organizatave terroriste”, shtoi ministri Sveçla.

Ai gjithashtu tha se Policia, Prokuroria dhe Gjykatat kanë bërë një punë të mirë në hetimin dhe dënimin e tyre.

“Por duhet bërë edhe më shumë që të jepet mesazh i qartë përballë kësaj veprimtarie.Kemi përdorur edhe qasjen e butë duke iu ofruar të gjithë atyre që ishin pjesë e këtyre organizatave që të jenë pjesë e rehabilitimit dhe riintegrimit. Ky është një program që përveç aktiviteteve specifike adaptohet në bazë të kërkesave që mund të dyfishohen.Bazuar në vlerësimet e deritanishme, programet e rehabilitimit dhe riintegrimit për të kthyerit nga luftërat e huaja, u ka mundësuar atyre rikthim të ngadaltë por të sigurt”,tha Sveçla./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme