Sveçla: Të pandalshëm do të vazhdojmë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës

18:10 | 14 Tetor 2023
E.K

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës dhe bastisjes në shtatë lokacione, prej ku është sekuestruar një sasi e konsiderueshme e armëve të llojeve të ndryshme.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka shkruar se me bastisjet e sotme ka vijuar zbardhjna e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës, përcjell Arbresh.info

Ai thotë se armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës.

Sveçla ka theksuar se të pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojnë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës.

Postimi i plotë:

Vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit tonë.

Armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës. Në kuadrin e aktivitetit policor, sot u zhvilluan bastisje në shtatë lokacione në veriun e vendit tonë.

Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist.

Ne pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojmë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme