Sveçla takon sekretarin e shtetit gjerman, flasin për përgatitjet e Ministerialit të Procesit të Berlinit

17:35 | 17 Korrik 2024
E.G

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti sot në takim Sekretarin e Ministrisë së Brendshme Federale të Gjermanisë, Bernd Krosser, i cili ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde dhe ekipi i tij.

Sveçla i uroi mirëseardhje në Ministrinë e Brendshme Sekretarit Krosser dhe me këtë rast shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për institucionet e Republikës së Kosovës, shkruan Arbresh.info.

Para delegacionit  Sveçla prezantoi të arriturat në fushën e sigurisë, veçanërisht në luftën ndaj krimit të organizuar, kontrabandës, migrimit të parregullt dhe çdo ilegaliteti tjetër.

Ai theksoi se këto të arritura janë edhe falë mbështetjes së partnerëve tanë të cilët kanë kontribuar në ngritjen dhe forcimin e institucioneve të sigurisë.

Ministri Sveçla diskutoi edhe për sigurinë e përgjithshme në Kosovë, veçanërisht në komunat veriore.

Me këtë rast, ai shprehu shqetësimin për mos dorëzimin para drejtësisë të terroristëve që realizuan sulmin terrorist në Banjskë dhe strehimin që po ua bën Serbia, si një kërcënim i vazhdueshëm për sigurinë e Republikës së Kosovës.

Sekretari Krosser falënderoi Ministrin për pritjen dhe përgëzoi për të arriturat. Ai po ashtu diskutoi edhe për Procesin e Berlinit, ku Republika e Kosovës mbetet palë aktive e këtij procesi. U diskutua po ashtu edhe Ministeriali i radhës i Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit.

Të dyja palët u dakorduan për bashkëpunim të mëtejmë, si garancë e sigurisë në rajon por edhe më gjerë./Arbresh.info/

Të ngjashme