Sveçla takon kryeprokurorin Aleksander Lumezi, flasin për masat kundër COVID-19

15:43 | 30 Mars 2020
L G

 U.D i ministrit të MPBAP-së,  Xhelal Sveçla priti në takim Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi

U.D i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, njëherësh Koordinator  i Grupit Ndër-institucional për Menaxhimin e Incidenteve, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim Kryeprokurorin e Shtetit,  Aleksandër Lumezi.

Në këtë takim u bisedua për situatën e krijuar pas përhapjes së virusit global, Covid 19, si dhe për masat e  angazhimet që janë duke u bërë nga institucionet e Republikës së Kosovës, në parandalimin e përhapjes së këtij virusi.

Me këtë rast, Sveçla kërkoi bashkëpunim nga organet e drejtësisë gjegjësisht të prokurorisë në kontekstin e marrjes së veprimeve ligjore për të gjithë shkelësit e masave dhe kufizimeve që janë marrë deri më tani nga Qeveria e Kosovës, e të cilat janë për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe kontribuojnë në parandalimin e përhapjes së mëtejme të virusit Covid 19.

Në anën tjetër, Kryeprokurori Lumezi e siguroi ministrin se Prokuroria e Shtetit do të jetë në dispozicion dhe do bashkëpunojë ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme  dhe Administratës Publike por edhe me qytetarët në mënyrë  që kjo situatë e rëndë të tejkalohet sa më lehtë të jetë e mundur.

Gjithashtu, Kryeprokurori theksoi se është e domosdoshme të respektohen vendimet dhe udhëzimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, vendime këto që kanë të bëjnë me ruajtjen e shëndetit publik dhe janë në të mirën e qytetarëve./arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme