Sveçla publikon dëshmi që tregojnë se ushtria serbe ndihmoi grupin terroristë

15:17 | 27 Shtator 2023
K.B

Është zbuluar edhe një tjetër dëshmi që Serbia qëndron prapa sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskaë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë heroi Afrim Bunjkau.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçka ka publikuar një dokument,  që thotë se është vërtetim se Ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit terrorist lansuesin e granatave, i cili u zu nga Policia e Kosovës

“Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës. Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit”, ka shkruar ministri.

Tutje ai shkruan se atë që e kanë deklaruar deri më tani po e mbështesin me fakte se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht.

“Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht”, shkruan Sveçla, përcjell Arbresh.info

Njëri nga terroristët serb që u vra nga Policia e Kosovës në Banjskë të Zveçanit është Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.

Kështu bënë të ditur ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook, raporton Arbresh.info.

“Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radojiçiq. Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013”, shkruan Sveçla.

Sipas tij, shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës.

“Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë” shkruan Sveçla.

Këto fakte, sipas tij, janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi. Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë.

“Dua të shpreh edhe njëherë mirënjohje për qëndresën e Policisë së Kosovës atë ditë dhe për profesionalizmin e pashoq, aksion në të cilin nuk është lënduar lënduar asnjë civil”, përfundon ministri Sveçla.

Sveçla dje ka publikuar disa pamje ku shihet Milan Radojçiq, si pjesë e grupit terrorist ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Ky në pamjet më poshtë është Milan Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Kryekrimineli Radojçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”, ka shkruar Sveçla.

Ministri tha se harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë, ku presidenti serb Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë, si dhe shpallja e tre ditëve të zizë në Serbi janë tashmë vulosja e autorësisë së këtij organizimi.

“Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan. Ndërkohë, ditët e zisë të shpallura sot nga Serbia dhe Lista Serbe janë tashmë vulosja e autorësisë së këtij organizimi”, ka shkruar ministri krahas videos./Arbresh.info/

Të ngjashme