Google ADS

Sveçla për video-incizimin e Milan Radoiçiq: Hyri në veri, bëri videon, qëndroi disa orë dhe u kthye prapë në Serbi

23:37 | 2 Gusht 2022
L G

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur për video-incizimin e nënkryetarit të Listës Serbe Milan Radoiçiq, i cili ishte i shfaqur nga Veriu i Kosovës.

Sveçla tha se Radoiçiq nuk është në veri, duke thënë se ai është futur në Kosovë ka bërë një video-incizim dhe kur është kthyer në Serbi e ka publikuar incizimin.

“Ai nuk është në veri, ai është fut në Kosovë. Ka bërë një video-inicizim ka dalë në Serbi, dhe pastaj është publiku video-incizimi. Prej një krimineli që ka pas rrugët dhe dyert e hapura në Prishtinë, e të mos themi edhe ne veri, tashmë është një ikanak që kërkohet nga institucionet e Republikës së Kosovës. Absolutisht që frikësohet( institucioneve të Kosovës)”, tha Sveçla për rtk.

Tutje ai tha sipas informatave që ka, Radoiçiq ka qëndruar vetëm disa orë në Kosovë dhe është kthyer prapë në Serbi.

“Sipas informatave, është çështje orësh. Qëllimi i videos nuk ka qenë që t’i sfidojë institucionet e Kosovës, por për të kërcënuar banorët tanë lokalë atje, për t’i bërë të dëgjueshëm ndaj tij dhe grupeve të tij”, tha ai.

Radoiçiq, është një nga të dyshuarit kryesor për vrasjen e politikanit serb në Kosovë Oliver Ivanoviq, derisa është futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndaj tij institucionet kosovare kanë lëshuar një urdhërarrest.

 

Të ngjashme