Sveçla kujton Balajn dhe Xheladinin: Drejtësia nuk ka ndodhur akoma por krimi nuk vjetërohet kurrë

11:30 | 10 Shkurt 2023
Vjollca Gajraku

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla përmes një statusi në facebook, ka kujtuar protestën e para 16 vjetëve ku u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini, nga policia rumune e UNMIK-ut.

“Në ditën e shtunë të 10 shkurtit të vitit 2007, u tubuam paqësisht e masivisht në Sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë për të shprehur kundërshtimin tonë ndaj padrejtësive që po i vinin Kosovës nga pakoja e Ahtisaarit”.

Sipas Sveçlës protestës i printe atë ditë edhe veprimtari i pashoq i çështjes kombëtare shqiptare Adem Demaçi, ndërsa përreth tij ishin mijëra qytetarë e aktivistë, djem e vajza të ndershëm, të guximshëm e me vetëdije të lartë mbi rrezikun që i kanosej vendit tonë nga decentralizimi etnik.

“232 plumba gome me afat të skaduar u shkrepën drejt nesh, drejt djemve e vajzave, burrave, grave e të moshuarve. Nga ata plumba u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini, mbetën të plagosur rëndë Hysni Hyseni, Zenel Zeneli e Mustafë Nerjova si dhe mbi 80 protestues të tjerë pësuan lëndime

Drejtësia nuk ka ndodhur akoma por krimi nuk vjetërohet kurrë.

“Mon Balaj e Arben Xheladini ranë dëshmorë për liri e vetëvendosje. Ata janë udhërrëfyesit e përhershëm në rrugën e përbashkët të idealeve tona. Ata janë udhërrëfyesit e angazhimit tonë të përditshëm e të pandalshëm për vendin tonë”, ka shkruar Sveçla./arbresh.info

Të ngjashme