Sveçla: Do të kërkojmë ekstradimin e Radoiçiqit dhe jo vetëm

08:24 | 30 Shtator 2023
E.H

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjskë.

“Ne do të vazhdojmë ta hetojmë këtë sulm në detaje, t’i identifikojmë të gjithë terroristët që kanë marrë pjesë në këtë sulm, ta hetojmë gjithë hierarkinë e dy organizatave që ne tashmë i kemi shpallur terroriste – Severna Brigada dhe Civilna Zashtita [Brigada e Veriut dhe Mbrojtja Civile] – por edhe t’i dokumentojmë lidhjet e drejtpërdrejta me Qeverinë e Serbisë”, ka thënë Sveçla në një intervistë për REL-in.

Ministri tha se do të kërkojnë nga Serbia që të gjithë të plagosurit që kanë arritur të ikin nga Kosova, si dhe ata që kanë ikur pa dëmtime, t’i dorëzohen drejtësisë së Kosovës, duke qenë se vetëm kështu, realisht, mund të arrihet një normalizim i situatës në Kosovë.

Sveçla thotë se Radojçiq nuk ka vepruar i vetëm siç ka thënë, por i mbështetur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai thotë se hetimet e deritashme kanë treguar si “mbi 80 terroristë” kanë qenë të përfshirë në sulmin në Banjskë.

Sveçla flet edhe për përfshirjen e dyshuar ruse, si dhe për rreziqet e sigurisë që vazhdojnë t’i kanosen Kosovës.

Kurse në pyetjen se a ka është i përfshirë ndonjë rusi a dyshon se janë mercenarë Sveçla ka thënë se po punohet në identifikimin e terroristëve të përfshitë në këtë sulm.

“ Unë, t’ju them të drejtën, nuk besoj shumë në mercenarë, në kuptimin e pagesave. Ky është projekt politik i Serbisë dhe Rusisë dhe ata shfrytëzojnë struktura të besuara të tyre. Do të thotë, ne jemi dëshmitarë se në Nish ka një qendër kinse humanitare ruse, e cila dihet botërisht se është qendër inteligjence, përmes së cilës ata përgjojnë të gjithë rajonin dhe në të cilën ka edhe ushtrime të ndryshme – qoftë për inteligjencë, qoftë për veprime në terren – dhe besojmë se edhe kjo qendër është e përfshirë në këtë sulm”, ka thënë pos tjerash Sveçla.

Siç dihet më 24 shtator, grupe të armatosura në këtë fshat të pjesës veriore të Kosovës sulmuan forcat policore të Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Pesë ditë pas sulmit, përgjegjësinë për organizimin e sulmit terroristë e mori Millan Radojçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Lexo edhe:

Sveçla me detaje të reja: Mbi 80 terroristë ishin në Banjskë

Të ngjashme