Sveçla dhe Hoxha publikojnë prova të reja: Autorët e sulmit në veri u përgatitën në pronën e Radoiçiqit

16:18 | 1 Tetor 2023
E.G

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kanë paraqitur videoincizme nga dronët e sekuestruar të grupit terrorist.

Sipas tyre, këto pamje dëshmojnë se përgatitjet për sulmin terrorist të 24 shtatorit janë bërë në qendrat e trajnimit në Serbi, përkatësisht në zonën e gjerë të Kopaonikut, në afërsi të kufirit me Kosovën e në një pronë të Milan Radoiçiçit, udhëheqësit të grupit terrorist, shkruan EO, përcjell Arbresh.info.

Sveçla theksoi se sulmi terrorist i 24 shtatorit në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit ka pasur për qëllim aneksimin nga Serbia të pjesës veriore të Kosovës.

“Në këtë tentim aneksimi të veriut të Kosovës janë angazhuar drejtpërsëdrejti presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq”, tha Sveçla.

“Ky organizim terrorist kishte vetëm një qëllim: ankesimin e veriut të Kosovës. Me qëllim të realizimit të aneksimit, institucionet e Serbisë kanë organizuar kapacitetet e saj ushtarake, logjistike dhe financiare. Në vazhdimësi kemi njoftuart se ky shtet ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet”, theksoi Sveçla.

“Pamjet që do t’i publikojmë janë dëshmi e gjallë e angazhimit të strukturave ushtarake dhe shtetërore në këtë organizim”.

Po ashtu, Sveçla njoftoi se dje dhe sot janë gjetur sasi të tjera të armatimit në zonën ku vazhdon operacioni.

Të ngjashme