Gjykata Supreme e ka aprovuar pjesërisht kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të dënuarit Valon Ibërdemaj, avokatit Besnik Berisha, duke e ricilësuar veprën penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje” dhe duke e dënuar Ibërdemajn me dënim unik prej 22 vjet burgim.
Me këtë, Supremja ka ndryshuar aktgjykimin e Themelores dhe atë të Apelit, me të cilat vendime Ibërdemaj ishte dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“…ndryshohet vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale të vrasjes së rëndë dhe vendimit për dënimin, ashtu që Gjykata e Supreme e Kosovës gjen se, në veprimet e të dënuarit V. I. të përshkruara nën pikën I të dispozitivit të aktgjykimit të shkallës së parë formohen elementet e veprës penale vrasje, parashikuar me nenin 178 të KPRK, dhe për këtë vepër e gjykon me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 18 viteve…”, thuhet në vendimin e Supremes.
Kurse, për veprën penale “Rrëmbimi” dhe për armëmbajtje pa leje”, shkalla e tretë ka vërtetuar dënimin e shqiptuar ndaj Ibërdemajt. Andaj, për të tri veprat penale, ndaj tij Supremja ka shpallur dënim unik prej 22 viteve burgim.
Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 4 shtatorit 2019.
Fillimisht, Themelorja më 18 mars 2022 Iberdemjan e kishte dënuar për veprën penale “Vrasje e rëndë” me 21 vite, për “Rrëmbim” me 3 vite burgim dhe për “Armëmbajtje pa leje” me 1 vit e 6 muaj, duke i shqiptuar kështu dënim unik prej 25 vitesh burg.
Këtë vendim të Themelores, në tërësi e kishte aprovuar Gjykata e Apelit.
Kundër aktgjykimit të Themelores dhe atij të Apelit, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kishte ushtruar mbrojtësi i të dënuarit, avokati Besnik Berisha, për shkak të shkeljes së Ligjit Penal dhe shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale.
Berisha kishte propozuar që të aprovohet kërkesa si e bazuar, kurse aktgjykimet e kundërshtuara sa i përket veprës penale “Vrasje e rëndë” të anulohen dhe lënda të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.
Ndaj kërkesës së mbrojtësit, është përgjigjur Prokurori i Shtetit, me parashtresën e 18 shtatorit 2023, me propozim që kërkesa të refuzohet si e pabazuar.
Kurse, shkalla e tretë gjeti se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është pjesërisht e bazuar.
Supremja gjen se aktgjykimi i shkallës së parë i cili është vërtetuar edhe nga shkalla e dytë, nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të pretenduara në kërkesë. Po ashtu, vlerëson se të pabazuara janë edhe pretendimet se aktgjykimet e dy shkallëve më të ulëta mbështeten në prova të papranueshme, duke iu referuar raportit të këqyrjes së vendit të ngjarjes
Në vendimin e Supremes, thuhet se Themelorja dhe Apeli kanë bërë vlerësim të gabuar vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale të “Vrasjes së rëndë” dhe caktimit të lartësisë së dënimit për këtë vepër.
Sipas vendimit të Supremes, nga përshkrimi faktik i veprimeve inkrimunues të të akuzuarit Ibërdemaj nuk përgjigjet emërtimi ligjor i vrasjes së rëndë me rrezikimin e jetës së personit tjetër.
Krejt kjo sipas Supremes pasi që rrezikimi i jetës së personit tjetër nuk i atribuohet Ibërdemajt me rastin e të shtënave ndaj tani të ndjerit, por se rrezikimi i jetës së personit tjetër nënkupton veprimet që ndërmerren pas vrasjes, e që në rastin konkret për të tjerët është konsumuar vepra penale e rrëmbimit.
“Pra, nga ky përshkrim nuk rezulton se i dënuari me rastin e privimit nga jeta të të ndjerit ka vënë në rrezik konkret jetën e të dëmtuarës F. si element cilësues që lypset për tu konsumuar kjo vepër penale”, thuhet në vendim.
Andaj, sipas këtij vendimi Supremja bazuar në video-incizimet e rikonstruimit të vendit të ngjarjes dhe dëshmisë së dëshmitarit B.B., del se dashja e Ibërdemjat ka qenë që të privojë nga jeta tani të ndjerin, por jo ta rrezikojë jetën e dëshmitarit.
Supremja me rastin e ricilësimit të veprës penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje”, ka caktuar edhe një dënim më të butë dhe atë 18 vjet burgim, me të cilin sipas këtij vendimi arrihet vetëdijësimi i të tjerëve dhe vetë të akuzuarit për moskryerjen e veprave penale në të ardhmen.
“Ndërsa, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat të cilat i kanë vlerësuar gjykatat me rastin e matjes së dënimit veçanërisht faktin se vepra penale është ricilësuar në një vepër penale dukshëm më të butë, kjo gjykatë të dënuarit për veprën penale të ricilësuar i shqiptoj dënimin me burgim në kohëzgjatje prej … viteve, ndërsa duke ia marrë si të vërtetuar dënimin me burgim për veprën penale të rrëmbimit dhe të armëmbajtjes pa leje, konform dispozitave ligjore i shqiptoj dënim unik me burgim si në dispozitiv të këtij aktgjykimi me bindje se ky dënim është adekuat me rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale dhe përgjegjësinë penale të tij, dhe se me të do të mund të ndikohet në parandalimin e tij nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe rehabilitimin e tij, por edhe në parandalimin e të tjerëve nga kryerja e veprave penale”, thuhet në vendim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 21 mars 2019, Valon Ibërdemaj akuzohej se më 4 shtator 2018, rreth orës 09:31, në bufenë e objektit të AKI-së në Prishtinë, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Isa Sejdiu, siç thuhet për shkak të xhelozisë, pasi që tani i ndjeri një ditë më parë në kohën e drekës, duke bërë shaka iu ka thënë zyrtarëve të AKI-së se gjoja do të bëhet i madh, pasi ato ditë pritej të emërohej zëvendësdrejtori i AKI-së.
Aktakuza thotë se duke rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarës F.B, derisa i ndjeri ishte në vendin e tij të punës, si menaxher kuzhine, ka shkuar i pandehuri në kuzhinë me revole në dorë, e ka thirrur në emër “I.”, e tani i ndjeri është përgjigjur duke thënë “Urdhno xhaxh”, dhe i pandehuri menjëherë ka shtënë dy herë në distancë prej rreth tre metrash, e ka goditur në pjesën e majtë të gjoksit dhe i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse, e më pastaj me revole në dorë ka dalë në oborr, i është afruar të dëmtuarës, ia ka vendosur revolen në kokë dhe e ka dërguar deri te vetura e tij, që ndodhej në parkingun e AKI-së.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Kurse, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se pasi ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, i pandehuri ka rrëmbyer F.B, në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ka qenë duke pirë kafe në oborrin e objektit të AKI-së, papritmas ka dalë i pandehuri nga objekti me armë në dorë dhe i është afruar asaj dhe nën kanosje të armës e ka detyruar që të shkojë te vetura e të pandehurit, e cila ishte e parkuar në parkingun e AKI-së dhe e i ka vënë armën në kokë.
Pastaj, sipas aktakuzës, e ka urdhëruar të shkojë në drejtim të portës kryesore të daljes nga oborri i AKI-së, e posa ka mbërritur te porta kryesore, aty i ka kanosur me armë edhe pjesëtarët e sigurimit, duke iu drejtuar me fjalët “e vrava, shkoi çika”.
Në aktakuzë thuhet se ai ka dalë nga vetura, ka marrë të dëmtuarën dhe vazhdimisht ka mbajtur armën nga ajo, ndërsa tjetrën dorë ia ka mbajtur rreth qafe, ka ecur për të dalë jashtë objektit dhe kur është afruar te dera ka shkuar te komanda për ta hapur derën dhe aty është penguar nga zyrtari Sh.Sh, ndërsa zyrtari E.B, duke e parë atë gjendje, ka rënë në gjunjë para të pandehurit dhe i është drejtuar me fjalën “nëse dëshiron të vrasësh dikënd, më vrit mua”, e i pandehuri në ato çaste thuhet se i është drejtuar atij me fjalët “vetëm ty ta dha armën”, e më pas ia ka dhënë armën ku edhe është liruar e dëmtuara.
Më këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Rrëmbimi”.
Në pikën e tretë të aktakuzës, thuhet se nga koha e papërcaktuar e deri më 4 shtator 2018, i pandehuri pa autorizim ka poseduar armën e llojit të lartcekur, me të cilën ka kryer veprën penale, ndërsa gjatë bastisjes nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në banesën e tij është gjetur edhe sekuestruar edhe revolja e tipit “Colt Amadeous ROSSI S.A 38 special” dhe një thikë.
Kurti dhe Murati mbajnë konferencë për media
Gjuajti disa herë në ajër dhe e hodhi armën nga vetura, arre...
Drita pret Feronikelin ’74, në Suharekë luhet derbi i qyteti...
Vdekja e 1-vjeçarit në QKUK, policia po heton rastin
Gjuajti me armë zjarri, arrestohet i dyshuari në Prizren
Driloni dhe Sara flasin për familjen dhe të ardhmen