Supremja i reagon PDK-së

10:57 | 6 Dhjetor 2017
L G

Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës, se kjo gjykatë është e ndikuar politikisht, raporton “Arbresh.info”.

Në reagimin e kësaj gjykate, hidhen poshtë pretendimet e tilla të PDK-së.

“Për hir të së vërtetës, Gjykata Supreme sqaron opinionin publik se pretendimet e publikuara nëpër media, me datë 05.12.2017 të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), sipas të cilave, Gjykata Supreme është e ndikuar politikisht, janë tërësisht të pavërteta. Në këto pretendime, apostrofohet edhe gjyqtari i Gjykatës Supreme, Erdogan Haxhibeqiri, dhe familja e tij, duke cenuar kështu privatësinë e gjyqtarit dhe familjes së tij, në përpjekje që të ndikohet në vendimet e Gjykatës Supreme”, thuhet në reagimin e Supremes.

Tutje kjo  gjykatë sqaron se gjyqtari Erdogan Haxhibeqiri, nuk ka qenë fare pjesë e kolegjit gjyqësor, kur është vendosur për ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për rinumërim të votave në Prizren.

“Po ashtu, sqarojmë opinionin publik se Gjykata Supreme, nuk do të bjerë pre e asnjë kërcënimi as shantazhi direkt apo indirekt, nga cilido subjekt politik, grup apo individ.  Të gjitha vendimet gjyqësore, merren në kolegje prej tre anëtarësh, në përputhje të plotë me ligjin, me profesionalizëm dhe me përgjegjësi të lartë”, thuhet në reagim.

Andaj kjo gjykatë kërkon  që të ndalohen sulmet e tilla verbale dhe të respektohet pavarësia e gjyqtarëve dhe organeve të drejtësisë./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme