Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim në shkallë të parë, lëndën ndaj dy të akuzuarve për shpërlarje të parave, Mirsad dhe Fatlum Sopjani.
Kësisoj, Supremja ka anuluar aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, të cilat, dy të akuzuarit i kishin dënuar me burgim me kusht edhe u kishin konfiskuar afër 1 milion euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 28 mars 2019, të akuzuarit Mirsad dhe Fatlum Sopjani i kishte shpallur fajtorë për veprën penale të shpëlarjes së parave, duke i dënuar me nga dy vjet burgim. Mirëpo, ky dënim ndaj tyre ishte kushtëzuar ashtu që nuk do të ekzekutohej nëse të njëjtit nuk kryenin ndonjë vepër tjetër penale brenda dy vitesh pas plotfuqishmërisë së dënimit.
Pos dënimit me kusht, ata ishin dënuar edhe me nga 5.000 euro gjobë.
Dy të akuzuarve u ishte konfiskuar edhe shuma prej 946.820.84 euro, e cila shumë ishte ngrirë në “Raiffeisen Bank”, pasi kishte ngelur e parealizuar për tu transferuar në kompaninë “One Life Limited”, në Belize, si dhe u ishin konfiskuar edhe nga 3.000 euro që të akuzuarit i kishin tërhequr nga xhirollogaria e kompanisë “Nicuma”.
E këto dënime ndaj të akuzuarve, në shkurt të këtij viti i kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit. Kjo e fundit, aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar vetëm sa i përket cilësimit juridik të veprës penale ashtu që veprimet e të akuzuarve i kishte ri-cilësuar në veprën “Shpëlarja e parasë në bashkëkryerje” sipas nenit 308 të Kodit Penal dhe nenit 56 par.1, pika 1.1 dhe 1.2 e Ligjit mbi parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit.
Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë të përbashkët për mbrojtje të ligjshmërisë kishin paraqitur të dënuarit Fatlum dhe Mirsad Sopjani, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal.
Të njëjtit i kishin propozuar Gjykatës Supreme që të ndryshojë vendimet e instancave më të ulëta gjyqësore dhe t’i lirojë nga akuza, apo që çështjen e tyre ta kthejë në shkallë të parë në rigjykim.
Këtë kërkesë të tyre e kishte kundërshtuar Prokurori i Shtetit, i cili me një parashtresë të dorëzuar në gjykatë më 1 qershor 2020, i kishte propozuar Supremes që ta refuzojë si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga të dënuarit.
Duke i vlerësuar pretendimet e paraqitura nga të dënuarit në kërkesën e tyre për mbrojtje të ligjshmërisë, kolegji i Supremes, i përbërë nga gjyqtarët, Nesrin Lushta, Valdete Daka dhe Agim Maliqi ka vendosur që kërkesën e të dënuarve ta aprovojë si të bazuar.
Sipas aktgjykimit të Supremes, në arsyetimin e gjykatës së shkallës së parë nuk janë dhënë arsye lidhur me faktet se a kanë pasur dijeni të dënuarit se pasuria e fituar nga të dyshuarit, Kim Rasmussen dhe Denis Lindberg, rrjedh nga aktiviteti kriminel, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vlerësimit të Supremes, në arsyetim të aktgjykimit përveç parafrazimit të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të financimin e terrorizmit dhe provave të administruara në shqyrtimin kryesor, nuk jepen arsye se pse të dënuarit e kanë ditur apo është dashur të dinë se paratë e transferuara në xhirollogarinë të kompanisë së përbashkët kanë burim nga aktiviteti kriminal.
“Vetëm fakti se bashkëpronarët Kim Rasmussen dhe Denis Lindberg, njëri në vitin 2011 dhe tjetri në vitin 2015, kanë qenë të dënuar për shmangie nga tatimi nuk vërteton se të njëjtit kanë përfituar para nga aktivitetet kriminale. Nga shkresat e çështjes nuk janë dhënë arsye se është vërtetuar se bashkëpronarët Kim Rasmussen dhe Denis Lindberg, janë marrë me veprimtari kriminale dhe se paratë e transferuara burojnë nga kjo veprimtari” – thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Për më tepër, në aktgjykimin e Supremes thuhet se gjykata e shkallës së parë ka dështuar që në arsyetim të jep arsye të mjaftueshme ligjore se mjetet financiare janë fituar në mënyrë të kundërligjshme edhe pse në arsyetim thuhet se këto mjete janë fituar në mënyrë të kundërligjshme duke mos dhënë arsye apo mënyrën se si këto mjete janë përfituar.
“Në qoftë se mënyra e operimit të kompanisë “Nicuma” është jo ligjore për arsyen se si është menaxhuar me transaksionet ekonomike financiare të kësaj kompanie, kjo mund të jetë eventualisht objekt i hetimit për veprën penale shmangie të tatimit apo veprave tjera kundër ekonomisë” – thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.
Sipas Supremes, elementi qenësor për kryerjen e kësaj vepre penale (shpëlarjes së parave) është fakti që një person duhet të jetë në dijeni apo duhet të ketë arsye për të ditur se pasuria e caktuar buron nga ndonjë formë e aktivitetit kriminal, pasuri kjo e cila në të vërtetë fitohet me vepër penale, apo kushdo që duke besuar se pasuria e caktuar fitohet nga ndonjë formë e aktivitetit kriminal bazuar në përfaqësimet e bëra si pjesë e një hetimi zbulues të zhvilluar.
Në rastin konkret, Supremja thekson se në aktgjykimet e shkallës së parë dhe të Apelit, nuk janë dhënë arsye të duhura ligjore se me çka është vërtetuar se të dënuarit kanë qenë apo është dashur të jenë në dijeni për burimin e paligjshëm të parave të transferuara.
“Për më tepër në aktgjykimin e shkallës së parë kemi konstatime të cilat nuk janë të bazuara në prova dhe fakte të administruara në shqyrtim gjyqësor por vetëm në supozime dhe paragjykime” – thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Në rigjykim, Supremja e ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që të evitojë shkeljet e gjetura, të bëjë vlerësimin e provave në drejtim të rekomandimeve të dhëna nga Supremja, e sipas nevojës, të kërkojë edhe prova të tjera të cilat do të mbështesin aktakuzën, në drejtim të faktit se a kanë qenë në dijeni dhe a kanë pasur arsye të jenë në dijeni të dënuarit se pasuria respektivisht të hyrat e pranuara në llogarinë bankare të kompanisë “Nicuma” janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Ndryshe, aktakuza në këtë rast ishte ngritur me 28 dhjetor 2017, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Prokuroria pretendonte se njëri nga elementet që dy të akuzuarit dyshoheshin për shpëlarje të parave, ishte se bashkëpronari i firmës “NICUMA”, Kim David Rasmusen, ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar nga Gjykata në Danimarkë, me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht dhe më gjobë në shumën prej 590.000 euro, për mashtrim dhe shmangie nga tatimi.
Në aktakuzë, thuhet se ndaj të dyshuarve Kim Rasmusen dhe Denis Lindberg, është duke u zhvilluar procedura e sigurimit të tyre për t’u intervistuar, pasi që ata nuk gjenden në Kosovë, gjenden në arrati.
Prokuroria, të akuzuarit Fatlum dhe Mirsad Sopjani i ngarkonte me veprën penale “shpëlarje e parave”, e cila vepër dënohet sipas Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit.
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person