Google ADS

Sulmuan zyrtarët policore pasi u zunë duke kontrabanduar mall, arrestohen dy të dyshuar

12:28 | 27 Shkurt 2025
E.H

Policia e Kosovës njofton se kanë parandaluar një rast të tentativës për kontrabandë me mallra nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Republikës së Kosovës me ç’rast janë arrestuar dy persona.

Në njoftim thuhet se gjatë ndalimit të automjetit, personat e dyshuar kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe doganorë me automjetin e tyre, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe duke dëmtuar një veturë zyrtare.

“Më datë 26.02.2025, rreth orës 20:00, njësia e Task Forcës gjatë realizimit të detyravezyrtare ka pranuar informacione për hyrjen e mallrave të ndryshme kontrabandë përmes rrugëve malore. Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale është ndaluar automjeti i dyshuar Sharan me targa SK nga Maqedonia e Veriut, i cili transportonte mallra të një poste të shpejtë, qe dyshohej se janë të kontrabanduara në mënyrë të paligjshme. Gjatë ndalimit të automjetit, personat e dyshuar kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe doganorë me automjetin e tyre, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe duke dëmtuar një veturë zyrtare”, thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit, të arrestuarit janë dërguar në qendrën e ndalimit për 48 orë.

Njëri nga të arrestuarit ishte arrestuar edhe disa ditë më parë për një rast tjetër të kontrabandës.

“Hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, në koordinim me institucionet e drejtësisë. Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës mbeten të përkushtuara në luftimin e të gjitha formave të krimit dhe kontrabandës, duke siguruar rend dhe ligj në të gjitha zonat kufitare të vendit”, thuhet në njoftimin e policisë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm