Google ADS

Sulmi në Zubin Potok, krejt çka tha ministrja Rizvanolli në konferencën e përbashkët me Kurtin

22:00 | 1 Dhjetor 2024
R J

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë ftuar konferencë për media, për të dhënë detaje mbi zhvillimet e reja rreth sulmit në kanalin e “Ibër Lepencit”.

Sulmi në veri të vendit, krejt çka tha Kurti gjatë konferencës së sotme

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, para mediave ka thënë detaje rreth orëve të para kritke pas sulmit, përcjell Arbresh.info.

Fjala e plotë e ministres Rizvanolli:

Përgjatë dy ditëve të fundit, përderisa institucionet e sigurisë kanë qenë duke punuar për të sjellur para drejtësisë kryerësit e sulmit terrorist në Zubin Potok dhe duke ofruar mbrojtje të infrastrukturës kritike, fokusi i ndërmarrjeve publike, Ministrisë së Ekonomisë dhe institucioneve të tjera si Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, ka qenë në zgjidhjet emergjente për të siguruar furnizim të rregullt me energji dhe me ujë.

 Me të marrë lajmin për sulmin në kanal, kemi pasur një mobilizim të menjëhershëm të të gjitha institucioneve dhe ndërmarrjeve relevante. Ekipet e “Ibër Lepencit” së bashku me Policinë e Kosovës kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe në afat rekord, vetëm shtatë orë pas sulmit, kanë zbatuar një zgjidhje të përkohshme për të mundësuar rrjedhën e ujit në kanal.  

 Ndërkohë, së bashku me KEK-un, kemi parë alternativat e sigurimit të ftohjes për Termocentralin “Kosova B”. Brenda pak orësh, me ndihmën e Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave (AME) dhe kompanive rajonale të ujësjellësit, në KEK kemi pasur dhjetëra cisterna uji të gatshme për të ndihmuar me furnizim shtesë për Termocentralin. Rezervat e ujit të ftohjes në KEK dhe rrjedhat e ujit në kanal janë monitoruar përgjatë gjithë natës, duke u siguruar që kemi menaxhim optimal të kapaciteteve energjetike. Ndërkohë, KEK ka siguruar kapacitete prej 120 deri në 150 MW nga Korporata Energjetike e Shqipërisë (KESH) për 12 orë, për të mbuluar nevojat në rast se situata do të përshkallëzohej dhe do të kishte nevoje për ndalje të të blloqeve të termocentralit. Pas orës dy të mëngjesit, ekipet teknike të “Ibër Lepencit” arritën të instalojnë gjashtë tuba të përkohshëm, duke filluar me rrjedhë të ujit prej 1,500 m3 në orë, që është më pak se  e kapacitetit të zakonshëm të kanalit. Me këtë rast, prioritet yni absolut ishte që të sigurohet sasia e mjaftueshme e ujit për Termocentralin “Kosova B”, ndërkohë që ishte e domosdoshme të ndalej furnizimi i fabrikave të ujit që furnizohen nga “Ibër Lepenci”, të cilat i përmendi Kryeministri më herët. Si rrjedhoje, brenda 36 orëve të para pas sulmit ka pasur reduktime të plota ose të pjesshme në komunat e rajonit të Prishtinës e Mitrovicës, të cilat i përmendi edhe Kryeministri. Për t’iu siguruar qytetarëve në ato zona ujë të pijshëm ose ujë sanitar, që në orën tre të natën e sulmit kemi pasur pasqyrën e zonave të ndikuara dhe një plan për të siguruar që në të gjitha komunat e ndikuara kemi furnizim me autobotë: nga një në Drenas, Skenderaj, Zveçan, Fushë Kosovë, Mitrovicë të Veriut dhe tre në Mitrovicë të Jugut.

 Mbrëmë, rreth 24 orë pas sulmit, furnizimi me ujë në KEK ka arritur nivel optimal të furnizimin me ujë, ndërkohë që “Ibër Lepenci” ka filluar ta ngrisë gradualisht rrjedhën e ujit në kanal, gjë që ka mundësuar fillimin e furnizimit të fabrikave të ujit, së pari në Balincë e Shipol mbrëmë, e sot në orët e hershme të mëngjesit në Shkabaj dhe Drenas. Rrjedhimisht, përderisa po flasim, të gjitha fabrikat e ujit janë në funksion dhe furnizimi me ujë është rikthyer në të gjitha komunat.

 Rasti i sulmit në kanalin e “Ibër Lepencit” tregoi qartë se siguria e furnizimit me ujë dhe energji është një komponent jetike i sigurisë kombëtare dhe rrezikimi i këtyre shërbimeve thelbësore, rrezikon mirëqenien e qytetarëve dhe aktivitetin ekonomik e sigurinë kombëtare.

 Mirëpo, reagimi i institucioneve tona e bëri edhe një gjë tjetër të qartë, institucionet e Republikës së Kosovës dhe ndërmarrjet tona publike janë të përgatitura të përballojnë kërcënime të tilla, duke siguruar që furnizimi me ujë dhe energji të rikthehej shpejt dhe pa pasoja të gjera për qytetarët.

 Me këtë rast dua t’i falënderoj thellësisht ekipet e “Ibër Lepencit”, KEK-ut, të kompanive rajonale të ujësjellësit, AME-në, ekipet e zjarrfikësve dhe sigurisht Policinë, e institucionet e sigurisë, për mobilizimin dhe angazhimin e pashoq, që na ka ndihmuar të tejkalojmë me sukses momentet kritike pas sulmit më të madh ndonjëherë ndaj infrastrukturës sonë kritike.

Ndërkohë, “Ibër Lepenci” është duke vazhduar punën me ekspertë dhe me përkrahjen Ministrisë së Mjedisit, Planifikimi Hapësinor dhe Infrastrukturës, për të bërë sanimin afatgjatë të kanalit, ndërkohë që po e monitoron së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e sigurisë 24 orë në ditë lokacionin ku ka ndodhur sulmi dhe rrjedhën e ujit aty, për të siguruar që zgjidhja teknike emergjente që është bërë është e qëndrueshme deri në gjetjen e zgjidhjes dhe zbatimin afatgjatë.

 Gjithashtu dua të falënderoj me këtë rast edhe Korporatën Energjetike Shqiptare (KESH), që në ato momente të vështira kishte gatishmërinë për të na ndihmuar.

 Dhe në fund do ta përmbyll me një përkujtim, që tani më është i zakonshëm, veçanërisht gjatë muajve të dimrit. Sulmet si ky janë të jashtëzakonshme, mirë po nga ana tjetër përderisa lufta në Ukrainë vazhdon dhe situata e sigurisë dhe gjeopolitike është kaq e ndjeshme, situata e furnizimit dhe çmimeve të energjisë elektrike në treg do të jetë gjithnjë një problem potencial. Andaj sikurse gjatë muajve e viteve të kaluara, lusim qytetarët dhe bizneset që të jenë shumë të kujdesshëm në masën që është e mundshme në kursimin e energjisë elektrike dhe optimizimin e shfrytëzimit të energjisë elektrike. Çdo masë e vogël ndihmon jo vetëm në përballimin e sfidave aktuale, por edhe në forcimin e qëndrueshmërisë së vendit tonë për të ardhmen./Arbresh.info

Të ngjashme