Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë ftuar konferencë për media, për shpalosur detaje mbi zhvillimet e reja rreth sulmit në kanalin e “Ibër Lepencit”.
Kurti u shpreh se përgjatë dy ditëve të fundit janë ndërmarrë masa për të mbajtur përgjegjësit e sulmit në fjalë dhe për të rregulluar dëmin e shkaktuar, përcjell Arbresh.info.
Fjalia e plotë e kryeministrit Kurti:
Përgjatë dy ditëve të fundit kemi ndërmarrë një sërë masash për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës kryerësit e sulmit terrorist e kriminal, në njërën anë, dhe për të minimizuar dëmin në infrastrukturë e për të evituar çrregullimin e furnizimit me shërbime bazë për qytetarët e Kosovës, në anën tjetër.
Pesha e pasojave të këtij sulmi po të arrinte qëllimin e tij, do të ishte marramendës.
Ky sulm kishte për qëllim të shkaktonte dëme të pariparueshme në infrastrukturën kritike të Republikës së Kosovës, duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare dhe duke çrregulluar jetën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Po të arrihej qëllimi, ky sulm terrorist do të shkaktonte, potencialisht për javë të tëra:
– ndërprerje të prodhimit të energjisë nga Termocentrali Kosova B, duke lënë pa energji elektrike mbi gjysmën e popullatës së Kosovës, dhe pa ngrohje 130 mijë qytetarë të Prishtinës;
– më tej do të kishim ndërprerje të furnizimit të fabrikave të ujit në Shkabaj, Drenas, Shipol dhe Balincë, duke lënë pa ujë mbi 300 mijë qytetarë të Mitrovicës së Jugut, Skenderajt, Vushtrrisë, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Drenasit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit, e duke rrezikuar furnizimin për mbi 300 mijë të tjerë në Prishtinë; dhe,
– Për javë të tëra potencialisht do të ngeleshin pa energji elektrike, dhe kësisoj do të rrezikoheshin edhe shërbime të tjera kritike që varen nga energjia elektrike sikurse telekomunikimi.
Dëmet direkte financiare vetëm nga nevoja për import të furnizimit me energji do të ishin së paku 2.5 milionë euro në ditë e 100 mijë euro tjera në ditë për ujë. Dëmet direkte financiare e dëmet e cenimit të aktivitetit ekonomik do të ishin të jashtëzakonshme, por qëllimi i tyre ishte shkaktimi i dëmit që është shumë përtej edhe atij ekonomik: çrregullimi i jetës e shëndetit të qytetarëve dhe rrezikimi i sigurisë tonë kombëtare.
Pra nuk ka qenë në pyetje vetëm uji, por edhe rryma. Jo vetëm rryma, por edhe ngrohja. Jo vetëm ngrohja, por edhe telekomunikimi. Qëllim ka qenë që një pjesë e madhe e vendit tonë në dhjetor të ngelet pa ujë, në terr, në të ftohtë dhe pa komunikim.
Si në kontekstin kohor ashtu edhe në atë të vetë natyrës së aktit, ky sulm duket që ka ndërlidhje me sulmet masive ajrore të federatës ruse kundër Ukrainës. Sulme këto që ishin të orientuara pikërisht kundër infrastrukturës energjetike në Ukrainë.
Një ditë para sulmit në Varagë të Zubin Potokut, me datë 28 nëntor, forcat ushtarake ruse me 188 projektile raketash dhe dronësh sulmuan infrastrukturën kritike të energjisë në Ukrainë, duke lënë rreth 1 milion amvisëri pa energji elektrike, në prag të stinës së dimrit. Qëllimi është që popullsia të vihet përfundi kushteve jetike minimumit të ekzistencës dhe në këtë mënyrë të dëmtohet shëndeti, jeta dhe siguria e qytetarëve.
Në të njëjtën kohë pra kemi sulmin në ndërtesën e Komunës në Zveçan dhe sulmet në Ukrainë. Në Zveçan dy ditë para kësaj kishim sulmin kundër stacionit policor dhe tash së fundmi infrastruktura kritike edhe në veriun e Kosovës sikurse në Ukrainë.
Për ta bërë edhe me të dukshme këtë ndërlidhje është edhe fakti që gjatë kontrolleve të zhvilluara nga Policia e Kosovës në lokacione të ndryshme pas sulmit terrorist, përveç armëve dhe pajisjeve të shumta ushtarake, u gjetën dhjetëra emblema të njësive ushtarake ruse. Këto emblema u përkasin kryesisht njësive të specializuar për kryerjen e operacioneve të veçanta ushtarake, siç është rasti i emblemave të Forcës Desante Parashutiste të Forcave të Armatosura të Rusisë, e përveç emblemave ushtarake, gjatë kontrolleve të djeshme u gjetën dhe flamuj krahu perandorak rus, flamur ky i përdorur nga Rusia cariste e shekujve XVIII dhe XIX – pra atëherë kur merr hov të madh historik imperializmi rus.
Të gjitha këto mund t’i shihni në ekran në këtë foto. Pra një numër i madh i emblemave nga Rusia, përveç se armatim e municion e uniforma dhe pajisje të tjera të cilët janë gjetur e sekuestruar.
Serbia po i kopjon metodat ruse për të kërcënuar Kosovën dhe rajonin tonë në përgjithësi. Megjithëkëto edhe kjo përpjekje është e destinuar të dështoj, pasi Kosova mbështetet në vlerat demokratike perëndimore që na kanë forcuar neve së brendshmi dhe e kanë forcuar partneritetin tonë së jashtmi me aleatët rajonalë, strategjikë, evropianë e amerikanë.
Ky bashkëpunim dhe përkushtim i Kosovës ndaj sigurisë, paqes e stabilitetit të qëndrueshëm do të triumfojë ndaj çdo përpjekjeje për destabilizim. Kosova është një shembull për rajonin dhe më gjerë për mënyrën se si i trajton komunitetet pakicë apo joshumicë, dhe për institucionet e saj demokratike. Liria dhe demokracia që mbizotërojnë në Kosovë dëshmojnë përkushtimin tonë ndaj parimeve të barazisë dhe të drejtësisë. Nuk është e rastësishme që sipas Freedom House është pikërisht Republika jonë ajo ka shënuar avancimin më të madh në rajon, të dytin në Evropë dhe e tretin në botë për përmirësimin e të drejtave politike dhe lirive civile.
Qytetarët e Kosovës si në veri të Ibrit ashtu edhe në jug të tij, duhet t’u besojnë institucioneve të sigurisë të cilat janë të përkushtuara për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve pa dallim. Institucionet e Kosovës kanë treguar se janë të vullnetshme dhe të afta përveç se të gatshme të mbrojnë qytetarët dhe të ruajnë rendin demokratik duke përfaqësuar një sistem që funksionon në interes të të gjithëve dhe nuk lë asnjëri mbrapa.
Të dashur qytetarë,
Për tash e një kohë, vendi ynë është cak i formave të ndryshme të Luftës Hibride. Në shtator 2022 kemi pasur sulme kibernetike që për shënjestër kanë pasur webfaqet e institucioneve me qëllim defunksionalizimin e tyre. Në shtator të vitit 2023 patëm sulmin paramilitar në Banjskë që për qëllim kishte aneksimin e veriut të vendit tonë. Krahas dezinformimit të vazhdueshëm që synon uljen e besimit në institucionet publike e të sigurisë dhe çorientimin e qytetarëve, tash Luftës Hibride ndaj vendit tonë i është shtuar edhe sulmi kinetik me cak infrastrukturën kritike dhe me qëllim ndërprerjen apo vështirësimin e shërbimeve esenciale dhe çrregullimin e jetës shoqërore e qytetare, institucionale dhe ekonomike.
Megjithatë, në secilin rast ne kemi dalur fitimtar, sepse shteti ynë është edhe i fortë edhe i drejtë. Edhe në rastin të fundit, nga shteti është kërkuar reagim i shpejtë, organizim e profesionalizëm nga të gjitha institucionet e ndërmarrjet publike për të siguruar shërbime esenciale edhe për përballje me situata të këtillë emergjente. Përgjatë dy ditëve të fundit, institucionet e ndërmarrjet publike kanë dëshmuar se janë përsëri e vazhdimisht në krye të detyrës, për çfarë u jemi pafundësisht falënderues e mirënjohës.
Para se t’ia jap fjalën ministres Rizvanolli, është e qartë që qëndrimi i lirë dhe aktiv i kryekriminelit Millan Radoiçiq në Serbi është e vërteta e Serbisë e cila po përpiqet që gjithë fqinjët e saj që nuk janë anëtarë të Bashkimit Evropian, të i vë në kushte të tensionit dhe rrezikut të destabilizimit.
Liria e Millan Radoiçiq në Serbi, përveç se përbën një mbrojtje të hapur të një terroristi nga autoritetet serbe, është gjithashtu një inkurajim për të tjerët për të kryer akte terroriste dhe kriminale në Kosovë. Ky qëndrim përçon një mesazh të qartë se veprime të tilla jo vetëm që atje tolerohen, por edhe mbështeten nga shteti serb. Pas sulmit në Banjskë kanë pasuar sulme të tjera, përfshirë edhe këtë, aktin e fundit terrorist në kanalin Ibër-Lepenc në Zubin Potok dhe këto ngjarje po e dëshmojnë se Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta parandaluar terrorizmin. Përkundrazi, veprimet e saj nxisin atë për destabilizim në rajon. Serbia vazhdon të mbështes grupet terroriste me armë, financa dhe logjistikë.
Për më tepër, përhapja e gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimet e vazhdueshme për luftë dhe kthimin e ushtrisë, krijojnë një klimë që fasiliton sulmet terroriste. Kjo strategji është një përpjekje për të mbajtur tensione të larta dhe për të minuar sigurinë e stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit.
Mirëpo, përkundër këtyre tendencave dhe synimeve të errëta, Republika e Kosovës, shteti ynë demokratik me gjithë mekanizmat shtetëror është në funksion të mirëqenies së qytetarit, të të drejtave të tij e të saj, pa dallim etnie e religjioni, e pa dallim gjeografie, pra vendbanimi.
E tash për disa prej aktiviteteve të ndërmarra gjatë këtyre 48 orëve për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve esenciale për qytetarët dhe për situatën aktuale, e ftoj ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që të marrë fjalën./Arbresh.info/
Hansi Flick flet për gjendjen e Araujos para ndeshjes me Mal...
Gjendet pa shenja jete në qeli i burgosuri shqiptar në Greqi
Serbia kërkon të hetohen thirrjet për rebelim të armatosur
Izraeli urdhëron palestinezët të evakuohen nga jugu i Gazës
“Je teatër i përsëritjes” – Përplasje e fortë mes Vullnetit ...
KRU “Mitrovica”: Furnizimi me ujë po normalizohet, përdorimi...