Google ADS

Sulmet dhe presionet ndaj gazetarëve përmenden në raportin e BE’së

16:51 | 12 Tetor 2022
K.B

Komisioni Evropian ka publikuar raportin për Kosovën ku ka dhënë disa përfundime edhe për fushën e medias dhe për sulmet e presionet ndaj gazetarëve.

KE tërheq vërejtjen se nuk ka pasur progres të dukshëm në zbatimin e rekomandimeve të vitit të kaluar sa i përket këtyre çështjeve.

Duke cituar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, KE thotë se gjatë vitit 2021 ka pasur 29 raste të sulmeve, kërcënimeve dhe shpifjeve publike të gazetarëve, ndërsa në vitin 2022, deri më 27 qershor, u raportuan pesë raste të dëmtimit të reputacionit të gazetarëve, kryesisht nga zyrtarë të nivelit të lartë publik.

“Kërcënimet dhe sulmet variojnë nga ato të biznesmenëve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias, deri tek ato të zyrtarëve shtetërorë ose të partive politike”, thuhet në raport.

Ndërkaq, rekomandimet për vitin e ardhshëm janë: përmirësimi i bashkëpunimit institucional dhe reagimi i institucioneve kyçe ndaj sulmeve kundër gazetarëve dhe forma të tjera të presionit që pengojnë punën e tyre; rishikimi i Ligjit për Radion dhe Televizionin, ndër të tjera, për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe për ruajtjen e pavarësisë.

KE thotë se në përgjithësi, ligjet e medias, duke përfshirë shpifjen dhe qasjen në informacion, janë në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. /arbresh.info/

Të ngjashme