Konzorciumi “HPC dhe Ernst&Young”, i përzgjedhur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për hartimin e studimit të fizibilitetit për Trepçën, tashme e ka përfunduar draftin e parë të këtij studimi.
Gazeta Fjala ka siguruar një kopje të këtij raporti i cili do të përdoret si bazë për të ardhmen e Trepçës.
Ai nga deputetë dhe menaxhmenti i Trepçës po vlerësohet si tepër i dëmshëm pasi përgjysmon pasuritë minerare të Kosovës.
Nga të gjitha studimet e deritanishme mbi gjigantin metalurgjik është vlerësuar se Kosova ka një sasi prej 62 milionë tonë pasuri minerare. Por në këtë të fundit të porositur nga Qeveria e Kosovës e që ka kushtuar mbi gjysmë milioni euro, pasuria nëntokësore e Kosovës është përgjysmuar në 32 milionë tonë rezerva minerare.
Aty shihet se në minierën e Stantërgut, e cila me studimet e deritanishme ka pasur 22 milionë rezerva gjeologjike, është konvertuar në 12 milionë rezerva minerale të balancuara.
E njëjta ka ndodhur edhe me minierën e Bellobërdos dhe minierën në Cërnac.
Të gjitha këto të dhëna nga drafti i këtij raporti i ka konfirmuar edhe Komisioni për Zhvillim Ekonomik i Kuvendit të Kosovës.
Deputeti Raif Qela, i cili në mbledhjen e fundit të Komisionit e ka ngritur këtë shqetësim, ka thënë për Gazetën Fjala se nga analizat që ia ka bërë këtij draftraporti, ka dalë se konzorciumi i kompanive të përzgjedhura për studimin e fizibilitetit, nuk kanë bërë vlerësim adekuat të gjendjes në terren.
“Në qoftë se këto rezultate përmbyllen keq, Kosova ka pasoja nga kjo, sepse konstatohen se ka rezerva më pak se sa ka në të vërtetë dhe si pasojë e kësaj mund të kemi dëme afatgjata”, ka thënë Qela.
Nga të dhënat e paraqitura deri më tani, Qela madje dyshon edhe në besueshmërinë e kompanive të përzgjedhura për ta kryer studimin e fizibilitetit për Trepçën.
“Kjo edhe për faktin që çështja është e ndjeshme dhe ka shumë kreditorë që kanë interesa të caktuara ndaj Trepçës”, ka shtuar ai.
Tmava: Studimi nuk parasheh ndonjë vizion zhvillimor për Trepçën
Edhe më kundërshtues ndaj këtij raporti është treguar drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava i cili thotë se drafti të cilin e ka përgatitur kompania është i pa pranueshëm dhe ka defekte serioze.
“Për neve nuk është i bazuar në parametra shkencorë dhe kemi dhënë vërejtje serioze në draft, të cilat presim të merren parasysh”, ka thënë Tmava.
Sipas tij, nëse nuk merren parasysh këto vërejtje atëherë ky studim i fizibilitetit nuk do të pranohet dhe do të kontestohet me argumente shkencore.
Në draftin që tashmë është përgatitur nuk parashihet ndonjë vizion zhvillimor i gjigantit metalurgjik Trepça. Kompania propozon që të bëhet një rritje simbolike e shkallës së finalizimit në pesë vitet e ardhshme, pastaj të bëhet vlerësimi se si të vazhdohet në të ardhmen.
Sipas menaxhmentit të Trepçës kjo nuk nënkupton vizion zhvillimor të ndërmarrjes siç ka paraparë Qeveria e Kosovës. Rezultatet e studimit të tanishëm kanë nxjerrë se Trepça duhet të mbetet pak a shumë në të njëjtën situatë, duke shitur vetëm koncentratin e nxjerrë nga miniera, ashtu siç edhe bën edhe tani.
Mbetjet industriale vlerësohen si ngarkesa financiare
Një çështje tjetër që është kontestuar në këtë studim është edhe ajo lidhur me mbetjet industriale.
Aty mbetjet industriale të Trepçës kategorizohen si ngarkesa financiare, pavarësisht faktit se Trepça që nga paslufta ka fituar miliona euro nga këto mbetje.
“Është krejtësisht i gabueshëm synimi që mbetjet industriale të paraqiten vetëm si ngarkesë financiare për rehabilitim dhe mirëmbajtje dhe jo si përfitim prej saj, pavarësisht që ka pasur edhe tendenca edhe më herët që kjo të mos vlerësohet kështu”, ka thënë deputeti Raif Qela.
Sipas tij, prej këtyre mbetjeve minerale ka mundësi që të përfitohen disa qindra miliona euro, përkundër faktit që mund të ketë edhe shpenzime për rehabilitim për mirëmbajtje, dhe jo të llogaritet vetëm si ngarkesë financiare.
Bazuar në të gjitha këto, Qela edhe gjatë mbledhjes se Komisionit për Zhvillim Ekonomik, procesverbalet e se cilës i ka siguruar Gazeta Fjala, i është drejtuar me një kërkesë menaxhmentit të AKP-së që të reagojnë sa nuk është bërë vonë.
“Meqenëse kjo e gjitha përmbyllet brenda javës, megjithatë është e udhës që sado që ne nuk kemi kompetenca t’u përzihemi në punë, megjithatë nëse shihet se nuk është punuar si duhet, t’i shtyni që të punohet si duhet edhe ta përmbyllin si duhet këtë proces, sepse përndryshe mund të ketë pasoja”, ka qenë kërkesa e Qelës në mbledhjen e mbajtur me 12 prill 2017.
AKP mbron konzorciumin që kreu studimin
Nga ana tjetër, menaxhmenti i AKP-së i ka dal në mbrojtje konzorciumit që e ka kryer këtë studim.
Sipas procesverbalit të mbledhjes se Komisionit për Zhvillim Ekonomik, në përgjigje të kërkesës se deputetit Raif Qela, ka reaguar Petrit Gashi nga AKP, i cili ka thënë se sa i përket kontraktorit nuk ka asnjë dyshim në profesionalizimin e tyre.
“Nuk ka asnjë dyshim nuk do të ketë, sepse i kemi kontraktuar dy kompani me renome ndërkombëtare, prej ma të madhes në botë për ta realizuar këtë punë”, citohet të ketë thënë Gashi.
Sa i përket çështjes se rezervave minerare, ai vetëm ka thënë se “ka qasje të ndryshme sa i përket mënyrës se si janë përcaktuar se sa rezerva janë të konfirmuara”.
Ndërkaq përgjigje përgjithësuese ka dhënë edhe lidhur me mbetjet industriale, të cilat studimi i vlerëson si ngarkesa financiare.
“Çështja e mbetjeve është çështje që ne e kemi pasur, ekziston një farë shprese diku që kanë një vlerë të caktuar dhe në të vërtetë mund ta konfirmoj që ka interesim edhe për mbetjet, ka edhe një vlerë të caktuar të mbetjeve, por gjithmonë duhet ta kemi parasysh që çfarëdo trajtimi të mbetjeve vjen me një kosto shumë të madhe ambientale”, ka thënë Gashi. /Gazeta Fjala/
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...