Studentët shqiptarë flasin për jetën e tyre studentore në Austri dhe për faktin se janë lënë të vetëm përballë sfidave.
Të gjendesh në një qytet me një kulturë krejtësisht tjetër me atë që je mësuar, i ka vështirësitë e veta. Studentët shqiptarë në Austri jo rrallë herë hasin në probleme të ndryshme. Shumica prej tyre (ata që vetëfinancohen) iu duhet që gjatë tërë javës të ndjekin ligjëratat ndërsa gjatë vikendeve të punojnë. Të ardhurat që mund të marrin vetëm gjatë punës në vikende nuk ua mbulojnë shpenzimet dhe kërkesat e tyre. Në anën tjetër, në rast se punojnë edhe ndonjë ditë tjetër, atëherë mund të ngelen mbrapa me provime dhe në këtë mënyrë të rrezikojnë edhe lejen e qëndrimit në Austri. Për revistën “albinfo.at”, studentët shqiptarë flasin për jetën e tyre studentore në Austri dhe për faktin se janë lënë të vetëm përballë sfidave.
Universitetet austriake mbledhin mbi dy mijë studentë shqiptarë. Ndonëse të shpërndarë në vende të ndryshme, ata përballen me situata të njëjta procedurale për sistemim në qytetet e zgjedhura për të studiuar.
Problemet me të cilat përballen këta studentë janë nga më të ndryshmet, si: dokumentet e shumta, gjuha e huaj, pagesat që kapin shuma të larta për një student… Madje, financimi është një nga çështjet më të diskutuara në mes tyre. Çmimi për akomodim në një dhomë konvikti nisënga 250 euro në muaj për person. Dhe, duke qenë se as Kosova e as Shqipëria nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, studentët shqiptarë paguajnë rreth 750 euro për një semestër, deri sa ata që vijnë nga vende të anëtarësuara në BE, paguajnë rreth 20 euro.
Arjeta Berisha
Të gjendesh në një qytet me një kulturë krejtësisht tjetër me atë që je mësuar, i ka vështirësitë e veta. Arjeta Berisha, ka tre vite që jeton në qytetin e Grazit ku është duke ndjekur studimet Master për Menaxhim Biznesi. Ajo thotë se problemi kryesor i saj në fillim ka qenë akomodimi në këtë qytet.
“Akomodimi dhe orientimi kanë qenë problemet e mia në fillim, meqë ideja për gjetjen e një vendbanimi varej nga vendndodhja e banesës, sepse e doja afër universitetit, pastaj çmimi i saj, që doja të ishte sa më i ulët. Financat ishin dhe janë problem, meqë si studente nuk kam shumë kohë për punë, dhe me aq kohë sa gjej për të punuar, e kam të vështirë t`i mbulojë të gjitha shpenzimet për kërkesat e mia”, është shprehur ajo.
Integrimi në shoqërinë austriake nuk është edhe i lehtë
Berisha ka thënë se integrimi në kulturën austriake për shqiptarët nuk është i lehtë dhe për këtë ajo thekson disa faktorë.
“Me aq sa kam arritur t`i njohë, austriakët janë mikpritës ndaj të huajve, por integrimi në shoqërinë austriake nuk është i lehtë. Mendoj se të rinjtë shqiptarë arrijnë mesatarisht të integrohen, sepse ka disa faktorë që ndikojnë në këtë gjë, siç janë: gjuha, kultura dhe fryma në të cilën ne në Kosovë jemi rritur, ndryshon nga ajo që e gjejmë këtu. Megjithatë, deri tani mendoj se e kam gjetur veten mjaftë mirë”, ka thënë studentja.
Se gjuha luan rol kyç në shoqërinë austriake, e thotë edhe Juxhina Malaj, studente në Master, në Departamentin e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, në Universitetin e Vjenës.
Juxhina Malaj
“Nga eksperienca personale, integrimi është shumë i vështirë. Por, në qoftë se flet anglisht ose edhe më mirë gjermanisht, atëherë është më e lehtë. Për sa i përket shoqërisë, nuk është e vështirë të krijosh shoqëri, por varet edhe nga tipi që je dhe sa je i/e gatshme të shoqërohesh me të huaj”, ka thënë Malaj.
Financimi, në anën tjetër, do kohën e vet dhe një student në Austri duhet të ndajë 20 orë brenda javës për punë, për të arritur një shumë afër 700 euro në muaj. Kjo do goxha përkushtim dhe java e Arbër Fazliut, ndjekës i studimeve Master në Degën e Gjeodezisë në Universitetin e Vjenës, nisë me studime, kurse fundjava kalon me punë.
Mund të gjesh punë në Vjenë, por mbetesh mbrapa me provime
“Nuk është e vështirë të gjesh punë në Vjenë kur je student, por pastaj shfaqen problemet tjera, meqë mund të mbetesh mbrapa me provime. Prandaj gjatë javës mundohem që të jem sa më efikas me studime”, ka thënë Fazliu.
Duhet theksuar se të tre studentët kanë pasur përvojë pune në profesionet e tyre në Kosovë, ndërsa me ngritjen intelektuale dhe profesionale, ata pretendojnë të konkurrojnë në tregun e punës në Austri.
Lidhur me sistemimin e studentëve shqiptarë në Austri, janë vet ata që gjejnë vullnetin dhe i ndihmojnë njëri-tjetrit me informata të ndryshme që u nevojiten, qoftë për studime, vendbanim apo gjetje të vendit të punës.
Në vitin 2014, Ministria e Diasporës në Kosovë pati bërë të ditur se ka themeluar “Rrjetin e Studentëve dhe Rinisë në Austri”, por (të paktën) në rrjetet sociale nuk gjendet asnjë faqe me këtë emër, ndonëse janë pikërisht rrjetet sociale aty ku kërkohen fillimisht informatat nga secili që dëshiron të studiojë në Austri. Ndërsa, as në faqen zyrtare të Ministrisë nuk ekziston më asnjë informatë për formimin e këtij rrjeti
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?