Studentët kërcënojnë me protesta, i bëjnë thirrje Haradinajt të marr masa ndaj ministrit Bytyqi

13:38 | 24 Janar 2019
Arbresh.info

Studentët e universiteteve publike kanë organizuar një aksion simbolik para Ministrisë së Arsimit.

Milot Krasniqi, kryetar i parlamentit studentor në Universitetin e Prizrenit ka thënë se arsimi në vend është i politizuar.

“Gjendja aktuale në arsim në të gjitha nivelet në Kosovë që nga ai para universitar e deri tek ai universitar po rëndohet më tepër. Ndërhyrjet politike në arsimin e lartë nga ana e Ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi janë shqetësuese dhe të papranueshme për ne dhe të gjithë studentet e Universiteteve publike në Kosovë. Jemi dëshmitar të ndërhyrjeve politike që po bëhen nga Ministri që nga zgjedhja e Këshillit Drejtues të Universiteteve publike. Të gjithë anëtarët e këtij këshilli janë anëtarë të NISMA-së, si shembull kryetarja e Këshillit Drejtues në UP është ish drejtoresha e ministrit Bytyqi, dhe ne mendojmë që është një favor që Ministri ia ka bërë dhe paraqet konflikt interesi pasi ajo udhëheq një institucion arsimor. Tjetra zgjedhja e rektorëve si rasti në Universitetin e Prizrenit, zgjedhja e stafit akademik dhe jo akademik në këto universitete, zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë , zgjedhja e drejtorit të Agjencisë së Akreditimit, punësimi i militantëve të NISMA-së në qendrën e studentëve në Prishtinë. Punësimi i militantëve të NISMA-së, në Ministrinë e Arsimit. Kritere të vetme të zgjedhjes janë libreza e anëtarësimit të NISMA-së. Zgjedhja e sekretarit të MASHT-it ku është militant i NISMA-së ku është kundërshtuar nga Ambasada Angleze. Punësimi i të afërmve të ministrit dhe gruas së tij”, ka thënë ai.

Sipas tij studentët kërkojnë nga kryeministri të ndërmarr masa ndaj ministrit Bytyçi.

“Ne si student jemi të diskriminuar sepse është e kot të konkurrosh në konkurset e publikuara nga MASHT-i. Që nga ardhja e ministrit të Bytyçit kjo Ministri është përballur me shumë skandale . Ne si student po i paguajmë pasojat sepse diplomat tona nuk po njihen jashtë vendit. Kërkojmë nga kryeministri që të marrë masa ndaj ministrit Bytyçi për këto ndërhyrje politike. Në qoftë se nuk merret ndonjë masë ne do të ngrihemi në protesta të gjithë studentët e universiteteve publike dhe do të kërkojmë shkarkimin e tij”, është shprehur ai.

Kaltrina Arifaj nënkryetarë e parlamentit studentor në universitetin Haxhi Zeka tregoi pozitat për të cilat janë shpallur konkurse.

“Konkurse për pozitat si: Rektor në Universitete Publike, anëtarë të këshilleve drejtuese në Universitete Publike, anëtarë në AKA, drejtorë në AKA, sekretar në MASHT, zyrtar i lartë në MASHT, drejtor në MASHT. Kushtet për aplikim të jetë anëtar i NISMA-së, të jetë i afërm i imi, i gruas sime, apo i shefit Fatmirit, të përcjell aktivitetet e ministrit. Kualifikimit kërkohet libreza e partisë NISMA”, ka thënë ajo./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme