Studentët e drejtimit ‘Biokimi’, me module shtesë

09:37 | 22 Nëntor 2018
Arbresh.info

Ministria e Arsimit ka marrë vendim për rreth tetëdhjetë studentë të Fakultetit të Shkencave Matematiko Natyrore, të programit “Biokimi”, që të dëgjojnë modulet shtesë në lëndët klinike në mënyrë që t’u krijohet mundësia e marrjes së licencës nga Ministria e Shëndetësisë.

Dëgjimi i këtyre moduleve do të fillojë në semestrin veror të vitit akademik 2018/19. Për këtë janë dakorduar edhe zyrtarë të Universitetit “ Hasan Prishtina”.

Këshilltari i ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Valmir Gashi, tha për Radio Kosovën se Ministria e Arsimit e ka vlerësuar të nevojshme dëgjimin e këtij moduli, dhe për ketë arsye është marrë vendim në favor të këtyre studentëve.

“ Duke parë nevojën për ta zgjidhur çështjen e këtyre studentëve, ministri Shyqyri Bytyqi ka marrë vendim pozitiv për këta studentë. Sipas këtij vendimi, të gjithë studentët që kanë përfunduar këto programe duhet të ndjekin një modul në lëndët klinike.”

Gashi theksoi se pas përfundimit të këtyre moduleve studentët do të marrin titullin “Laborant i Lartë Mjekësor”, dhe do t’u nënshtrohen procedurave për licencim në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Vlen të theksohet se kandidatët e diplomuar, pas përfundimit të këtyre moduleve, do të marrin titullin “Laborant i Lartë Mjekësor”. Realizimi i moduleve për këta kandidatë do të fillojë me se largu në semestrin veror të vitit akademik 2018/19, dhe pastaj fillojnë me procedurat e licencimit në Ministrinë e Shëndetësisë.”

Përfaqësuesi i grupit të studentëve në FSHMN-së të programit “Biokimi”, Hasim Avdijaj, tha për Radio Kosovën se ka dhjetë vite që kanë bërë kërkesë. Në mungesë të licencës deri me tani, të diplomuarit në këtë program e kanë pasur të pamundur të punësohen në institucione shëndetësore.

“Ne kemi pësuar shumë nga kjo, sepse bëhet fjalë për rreth tetëdhjetë studentë që sa kohë kanë mbetur rrugëve të papunë. Deri me tani nuk kemi pasur mundësi për t’u punësuar në institucione shëndetësore, për arsye se po kërkohet licencë dhe nuk kemi mundur të licencohemi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.”

Po ashtu, drejtues të Universitetit të Prishtinës, në një përgjigje përmes postes elektronike, i thanë Radio Kosovës se janë të gatshëm që brenda kornizave ligjore të kontribuojnë në këtë çështje. Janë të gatshëm t’ua mundësojnë dëgjimin e moduleve shtesë studentëve të programit “Biokimi”, në mënyrë që të marrin licencës nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Këta studentë që nga viti 2009 shumë herë u kanë drejtuar kërkesë institucioneve përgjegjëse. Në vitin 2016 ata i janë drejtuar edhe institucionit të avokatit të popullit, i cili ka ofruar vetëm përkrahje morale.

Tarifën e pagesës për dëgjimin e këtyre moduleve do ta përcaktojë Rektorati i Universitetit të Prishtinës. Ndërsa pesëdhjetë për qind të këtyre shpenzimeve do t’i mbulojë Ministria e Arsimit./rtklive

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme