Stradner: Në përpjekjet e Rusisë për kaos në Ballkan, Serbia po e luan rolin e lojtarit kyç

19:21 | 5 Dhjetor 2024
R J

Sulmi i 29 nëntorit në kanalin e Ibër Lepencit është në fokusin e mediave të rëndësishme ndërkombëtare. siç është edhe Fox News.

Qeveria e Kosovës e ka akuzuar Serbinë lidhur me këtë sulm, që ka rrezikuar seriozisht infrastrukturën kritike, duke i lënë pa ujë e rrymë qytetarët në disa zona të vendit.

Por, akoma më shqetësuese sipas mediumit amerikan, është fakti se disa në Kosovë pohojnë se presidenti rus Vladimir Putin mund të ketë pasur edhe dorë në të.

Lidhur me këtë, këshilltarja në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë Ivana Stradner, tha se Serbia po vepron si një lojtar kyç në përpjekje për kaos në Ballkan.

“Rusia ka lidhje të thella historike, kulturore dhe fetare me Ballkanin dhe narrativat simpatike për Rusinë shpesh burojnë nga Kisha Ortodokse Serbe”, tha ajo.

Sipas saj, Putini i shfrytëzon këto ndarje fetare dhe etnike në Ballkan, duke e shtyrë rajonin në prag të luftës.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se presidenti serb përfiton gjithashtu nga kaosi në Ballkan, duke e përdorur atë për të forcuar kontrollin e tij në pushtet.

“Vuçiq ka përdorur një strategji të përshkallëzimit dhe de-përshkallëzimit të krizave në Kosovë për ta portretizuar veten si një burim stabiliteti, duke shfrytëzuar pozicionin e tij si një mjet pazaresh me Perëndimin”, theksoi ajo.

Ndërkaq, ish-ambasadori i Shqipërisë në ShBA dhe NATO, Agim Nesho, tha se Rusia dëshiron që Ballkani Perëndimor të jetë një rajon neutral dhe e ka të vështirë të pranojë që shumica e vendeve të Ballkanit janë anëtarë të NATO-s.

“Ngjarjet në Mal të Zi, atentati ndaj Presidentit Gjukanoviç dhe ngritja e partive proruse tregojnë se Rusia është e pranishme. Rusia nuk ka mbështetje në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat janë hapur pro-amerikane për shkak të rolit të SHBA në mbështetjen e kombit shqiptar që nga fillimi i shekullit të kaluar”, tha Nesho.

Për sulmin në Varagë të Zubin Potokut ka folur edhe ambasadori i Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli.

“Të gjitha provat tregojnë një vazhdimësi të strategjisë së agresionit të Serbisë, me regjimin e Vuçiqit që shfrytëzon një bollëk burimesh, duke përfshirë lidhjet me krimin e organizuar, në përpjekjet e tyre për të shkaktuar dëm dhe për të shkaktuar destabilitet brenda Kosovës”, tha ai.

“Kjo është vetëm e fundit në listën e gjatë të akteve të agresionit nga Serbia”, shtoi ambasadori.

Përafërsisht 20 kilogramë eksploziv u përdorën në shpërthimin masiv në atë që ambasadori Dugolli e quajti një mënyrë shumë të sofistikuar, duke treguar më tej përgatitjen profesionale dhe ekzekutimin e operacionit, thuhet në artikullin e Fox News transmeton Klankosova.tv

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme