Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të martën në Beograd se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.
“Unë llogaris në të dyja palët për të ulur tensionet dhe për të përmbajtur nga përshkallëzimi i veprimeve”, tha Stoltenberg në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën paradite.
Stoltenberg mbërriti në Beograd pas një vizite që pati të hënën në Prishtinë, ku theksoi se aleanca ushtarake po e shqyrton mundësinë nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën dukshëm më 24 shtator kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zviceranit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Tre sulmues serbë u vranë në luftimet që pasuan.
Serbia, në periudhën e kaluar, disa herë ka vendosur trupa pranë kufirit me Kosovën. Kurse, herën e fundit i vendosi pas sulmit në Banjskë, por e ka tërhequr ushtrinë pas ndërhyrjes diplomatike të Perëndimit.
Stoltenberg po ashtu tha në Beograd se autorët e sulmit në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë.
“Ne e mirëpresim faktin që Serbia është e gatshme të bashkëpunojë”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për shtyp me Vuçiqin.
Përgjegjësinë për sulmit e 24 shtatorit e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi se “mirëpret dhe mbështet formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ky do të ishte çelësi i normalizimit të marrëdhënieve. U bëj thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialog nën kujdesin e BE-së, kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të përhershëm”, tha ai./rel
Kurti mirëpriti në takim lamtumirës Ambasadorin e Bullgarisë...
Dy të plagosurit në Vranjevc po i ruan policia në QKUK, u ca...
Shtyhet seanca ndaj Kobrës, seancën e radhës pritet të dëgjo...
Aliu: Mbi 16 milionë euro për zgjerimin e rrugës në hyrje të...
Sot shorti i Ligës së Kombeve: Me kë do t’i bie Kosovës?
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të bujqësisë, eko...