Dogana e Kosovës i kundërshton pretendimet e autoriteteve të Serbisë, se është duke shkaktuar kolona të kamionëve me mallra në pikën kufitare në Merdare.
Kolona prej kilometrash në anën serbe të kufirit kanë nisur të bëhen prej se Kosova ka hequr pjesërisht ndalesën e importit të mallrave nga Serbia më 7 tetor.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se autoritetet e Kosovës janë duke bërë gjithçka të mundur “për ta vështirësuar importin e mallrave serbe”.
Ngjashëm, Oda Ekonomike e Serbisë ka thënë se Dogana e Kosovës është duke punuar ngadalë, me “urdhër të autoriteteve në Prishtinë”.
Për zëdhënësin e Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, këto pretendime nuk qëndrojnë, sepse janë autoritetet e Serbisë ato, të cilat që nga 12 tetori i kanë bashkuar të gjitha dërgesat në një korsi – si ato që kalojnë transit nëpër Kosovë, ashtu edhe ato që kanë destinacion tregun e Kosovës.
“Fillimisht ka pasur shumë pak kolona në hyrje. Por, pasi autoritetet e Serbisë, më 12 tetor, i kanë përzier kolonat e transitit nga vendet e treta me mallrat e eksportuara nga Serbia, gjendja është vështirësuar. Procesimi i dërgesave të këtyre dy kategorive më herët është bërë ndaras”, thotë Stavileci.
Ai shton se për përpunimin më efikas të dërgesave, autoritetet e Kosovës kanë katërfishuar kapacitetet për kontrollin e mallrave, por pranon se procesi shkon më ngadalë, për shkak të bashkimit të të gjitha dërgesave në një hyrje.
“Përveç shtimit të kapaciteteve, janë përfshirë edhe njësi të specializuara të kontrollit, si dhe qen nuhatës nga Dogana dhe nga Policia e Kosovës, me qëllim që procedimi të bëhet sa më shpejt, por pa cenuar aspektin e sigurisë”, thotë Stavileci.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës për t’i komentuar deklaratat e autoriteteve të Kosovës se në Merdare janë bashkuar të gjitha korsitë në një dhe se kjo po shkakton kolona.
Megjithatë, Aleksandar Radovanoviq, kryetar i Qendrës për Bashkëpunim Rajonal i Odës Ekonomike të Serbisë, insiston se Dogana e Kosovës është përgjegjëse për situatën.
Sipas tij, ajo punon ngadalë dhe që nga e mërkura, në orën 20:00, asnjë kamion nuk ka hyrë nga Serbia në Kosovë.
“Pala e Kosovës dikton ritmin se sa kamionë hyjnë në Kosovë nga Serbia”, thotë ai.
Radovanoviq shton se dy korsitë në anën serbe të Merdares, bashkohen në një vetëm disa metra larg kufirit, për shkak të infrastrukturës rrugore.
“Ju e dini konfigurimin atje, nuk mund të jetë ndryshe. Dy korsi mund të jenë të hapura deri në 40, 50 metra, por pastaj jo. Autostrada mbetet pas, ajo nuk është rrugë e zgjeruar”, thotë Radovanoviq.
Sipas tij, autoritetet e Kosovës, që nga 7 tetori, lejojnë importin e lëndëve të para vetëm përmes Merdares – gjë që nuk ka qenë kështu më herët, pasi ato kanë hyrë përmes të gjitha pikave kufitare – dhe kjo kontribuon në tollovitë shtesë.
Këtë e ka thënë më herët edhe transportuesi Sadri Selimi, i cili importon grurë nga Serbia në Kosovë.
Qeveria e Kosovës ka ndaluar importin e mallrave të Serbisë, përveç lëndës së parë, në verë të vitit të kaluar, për shkak të arrestimit të tre policëve kosovarë nga autoritetet serbe.
Ndërkohë që policët janë liruar, ndalesa e mallrave ka vazhduar deri në javën e parë të këtij muaji.
Më 7 tetor, Qeveria e Kosovës e ka zëvendësuar atë me një vendim të ri, që e lejon importin, por vetëm përmes kufirit në Merdare dhe me kontroll të detajuar të sigurisë.
Në vendkalimet e tjera është paralajmëruar se do të lejohet importi vetëm kur të sigurohen skanerët, të cilët do t’i ndihmojnë Doganës së Kosovës në kontrollin e mallrave, pa ndërhyrje fizike.
“Bizneset prodhuese po humbin partnerë ndërkombëtarë”
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se bllokimi për disa ditë i dërgesave në kufi, i ka revoltuar transportuesit nga Kosova.
Ai tregon se biznese të shumta prodhuese dhe transportuese kanë shprehur shqetësim në këtë odë për vonesat në sigurimin e lëndës së parë, por edhe për rritjen e shpenzimeve financiare.
Ai thotë se ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës që hyrja e lëndës së parë të lejohet edhe në pikat tjera kufitare, përveç Merdares, por ende pa përgjigje.
“Mosarritja në kohë e lëndës së parë dhe gjysmëproduktit për të prodhuar produktin final në Kosovë, ka krijuar vështirësi jo vetëm brenda tregut, por edhe ndaj klientëve të jashtëm që i kanë bizneset prodhuese këtu. Ato nuk po arrijnë me kohë ta furnizojnë me prodhime kosovare blerësin e jashtëm, me të cilin kanë marrëveshje”, thotë Rafuna.
Problem tjetër që paraqesin tollovitë në kufi, sipas tij, është edhe rritja e shpenzimeve financiare për kompanitë.
“Kompanitë transportuese vendore, por edhe të huaja, refuzojnë të shkojnë në shtete tjera për t’u ngarkuar me mallra për tregun e Kosovës, për shkak se duhet të presin dy ose tri ditë në pikën kufitare në Merdare. Kjo e rrit edhe koston, sepse biznesi paguan qiranë e maunës për çdo ditë, paguan mëditjen, udhëtimin dhe fjetjen e vozitësit. Kjo është kosto shtesë dhe askush nuk po e kalkulon”, thotë Rafuna.
Kosova importon shumicën e produkteve nga vendet e rajonit dhe më gjerë. Mbi 5.9 miliardë euro ka qenë vlera e importit vitin e kaluar, ndërsa e eksportit mbi 863 milionë.
Prej vitesh, produktet nga Serbia janë ndër më dominueset në tregun kosovar.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2022, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej mbi 372 milionë euro, ndërsa në vitin 2023 kjo vlerë ka qenë gati 199 milionë euro./Rel
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...
Sali Berisha i bashkohet protestës së opozitës në Tiranë: Nu...