Stavileci: Nëntë zyrtarë doganorë të përfshirë në kontrabandë me duhan

00:09 | 18 Maj 2021
Trina Galanxhi

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës, ka dhënë detaje për rastin ku nëntë zyrtarë doganorë janë përfshirë në kontrabandimin e 80 mijë kilogramëve duhan.

“Ka pasë një hetim që është zhvilluar prej vitit 2018. Në momentin e dyshimeve të para ku është gjetur një sasi e duhanit të grirë dhe është ndjekur rruga nga vjen kjo sasi. Ne kemi ardhë në përfundim që në atë kohë se një pjesë e këtij duhani është duke u kontrabanduar përmes pikës kufitare të Vërmicës nga Shqipëria. Gjatë rrjedhës së hetimeve i kemi pasë disa raste që janë zhvilluar”.

Stavileci në Edicionin Special në Klan Kosova, ka thënë që dëmi total llogaritet që e kalon vlerën prej 3 milionë eurove.

“Duhani si sasi nuk ka vlerë të madhe. Për Doganën e Kosovës dhe taksapaguesit dhe për buxhetin e Kosovës është e rëndësishme akciza që paguhet në importin e duhanit”.

Ai ka treguar edhe se si kjo sasi e duhanit ka hyrë në Kosovë.

“Ne kemi pasë dyshimet të bazuara që është kontrabanduar përmes furgonëve të ndryshëm, e që e kanë kamufluar duhanin duke tentuar ta fshehin, por dyshimet tona kanë qenë që kamuflimi është bërë në bashkëpunim edhe me zyrtarët doganorë”.

Të ngjashme