Google ADS

Stavileci i kundërpërgjigjet Kurtit: Kur Kurti ia hedh vetes!

14:18 | 17 Gusht 2017
Arbresh.info

Ministri në detyrë, Blerand Stavileci, njëherësh zëdhënës i PDK-së, i është kundërpërgjigjur Albin Kurtit, i cili më herët shkroi për pazaret politike. Stavileci ka thënë se edhe shndërrimi i Vetëvendosjes nga një levizje qytetare në parti ishte një pazar.

“Ishte një pazar elektoral i orëve të fundit për t’ia mundësuar vetes, paraprakisht, një listë zgjedhore me partnerë. Pra, Kurti edhe atëherë e dëshironte pazarin, por pazari siç duket nuk e dëshironte atë!”, ka thënë Stavileci.

Ky është statusi i plotë i Stavilecit:

Kur Kurti ia hedh vetes Sikurse më parë, Albin Kurti edhe sot paska shpërfaqur logjikë të varfër demokratike. Duke i përdredhur disa argumente për interesin e tij, ai si duket fare nuk paska marrë mësim nga 2014-ta. Procesi i pluralizmit edhe mund të jetë lojë politike e forcave shoqërore, por pushtetet gjithmonë përcaktohen me Kushtetutë.

Ky ishte leksioni që na dha të gjithëve Gjykata Kushtetuese në vitin 2014, sepse çdo shumicë jashtë rregullave dhe ligjeve është gjithmonë vetëm një shumicë e parregullt dhe e kundërligjshme. Në fakt, Kurti nuk është i denjë as ta përmendë “shumicën”, sepse në anën e tij nuk është as pakica e mbetur parlamentare. Kushtetuta, ligjet, rregulloret, çdokund janë themel i demokracisë, por këtij liderit të partisë Vetëvendosje kot ia përmendim këto, sepse i udhëhequr prej egos së sëmurë, logjika e tij gjithmonë ka qenë vetëm anarkiste.

E theksova “partisë”, meqë paska folur për pazare, sepse edhe shndërrimi i tyre nga një lëvizje qytetare në parti ishte një pazar. Ishte një pazar elektoral i orëve të fundit për t’ia mundësuar vetes, paraprakisht, një listë zgjedhore me partnerë. Pra, Kurti edhe atëherë e dëshironte pazarin, por pazari, siç duket, nuk e dëshironte atë.

Pazar për tërë Vetëvendosjen ishte edhe tejkalimi i vetvetes dhe i gjithë asaj për të cilin Kurtin e ndiqnin verbërisht njerëzit e tij. Me vite të tëra u ofroi sakrificë, vetëmohim dhe aksione luftarake atyre. Ndërsa, tash kur në njërën dorë kishte “karamelen e pushtetit”, ai mori rrugën për në pazarin tjetër, atë të gjetjes së partnerit, por kjo dalje në pazar ishte fatale për të. Edhe pse i proklamuar si “produkt vendor”, ai as nuk po gjen partner, e madje as LDK-ja nuk po e dëshiron. Thjesht, nuk ka asgjë për t’u çuditur me Kurtin, sepse duke bashkëjetuar me hipokrizinë gjithmonë kështu ia hedh vetes!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme