Stavileci: Ashtu si mediat, edhe zyrtarët e partive dhe OJQ-ve duhet të kenë leje për lëvizje

17:27 | 11 Prill 2020
Arbresh.info

Drejtori i Përgjithshëm i PDK-së, Blerand Stavileci, ka kërkuar që zyrtarët e partive politike dhe ata të OJQ-ve të lejohen të lëvizin lirshëm.

Sipas Stavilecit, këta zyrtarë janë vendimtar për lirinë dhe demokracinë e vendit, shkruan lajmi.net.

“Qeveria duhet të përfshijë në listën me kodet NACE edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe zyrtarët e partive politike të vendit, duke u kërkuar lista të kufizuara njerëzish që janë pjesë vitale për funksionimin e tyre të mirëfilltë në përputhje me misionet që kanë”, ka shkruar Stavileci.

Postimi i plotë:

DEMOKRACIA DUHET TË FUNKSIONOJË EDHE GJATË KARANTINËS

Ashtu sikurse janë lejuar të lëvizin punonjësit e mediave, njëjtë duhen lënë edhe të punësuarit e OJQ-ve dhe zyrtarët e partive politike, sepse të gjithë këta eksponentë janë vendimtarë për lirinë dhe demokracinë e vendit.

Demokracia nuk mund të fiket gjatë krizave. Përkundrazi, ajo duhet inkurajuar. Njerëzit që e mbrojnë atë duhet stimuluar, në mënyrë që t’i shmangemi çdo rreziku të autoritarizmit.

Qeveria duhet të përfshijë në listën me kodet NACE edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe zyrtarët e partive politike të vendit, duke u kërkuar lista të kufizuara njerëzish që janë pjesë vitale për funksionimin e tyre të mirëfilltë në përputhje me misionet që kanë.

Kuptohet që paralelisht me këtë leje duhet të zbatohen rregullat e OBSH-së dhe institucioneve të tjera shëndetsore për mbajtjen e higjienës dhe për distancën sociale, për shmangien e tubimeve, si dhe për sa më pak lëvizje të panevojshme.

Të gjithë së bashku mund dhe do t’ia dalim. Misionet tona janë pjesë e misionit të përbashkët që aktualisht kemi, për ta luftuar pandeminë, por edhe për ta ruajtur demokracinë e ekonominë e shëndoshë, si vlera të patjetërsueshme të çdo shoqërie, në çdo hapësirë dhe në çdo kohë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme