Google ADS

Stano për vizitën e Lajçak në Kosovë: Është pjesë integrale e punës së tij si përfaqësues për të takuar partnerë

18:35 | 5 Shkurt 2023
E.H

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka konfirmuar ardhjen në Kosovë të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, më gjashtë shkurt.

Në një përgjigje për Portali Dukagjini, Stano ka thënë se është pjesë integrale e çdo përfaqësuesi special të BE-së që të takojë partnerë dhe se nuk i komenton vizitat e tilla.

“Është pjesë integrale e punës së çdo Përfaqësuesi Special të BE-së për të takuar partnerë dhe për të vizituar kryeqytetet në rajon për të cilat Përfaqësuesi Special i BE-së është përgjegjës. Ne zakonisht as nuk bëjmë njoftime specifike për vizita të tilla pune dhe as nuk i komentojmë ato”, ka thënë Stano.

Ndryshe, të hënën e gjashtë shkurtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, do të zhvillojnë një drekë pune me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

“Nesër, kryeministri Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi priten të zhvillojnë një drekë pune me emisarin Lajçak”, ka thënë Kryeziu.

Ndryshe, Lajçak pritet ta vizitojë Kosovën, më 6 shkurt, derisa, ai mund ta vazhdojë vizitën në Serbi.

As këtë herë nuk janë bërë të ditura hollësitë e vizitës, vetëm se ai do të diskutojë me bashkëbiseduesit për hapat e ardhshëm të dialogut, sidomos për avancimin rreth propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, por edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.

Lajçak e ka vizituar Kosovën 10 ditë më parë, kur ka zhvilluar një darkë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryenegociatorin e Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi.

Kohëve të fundit, zyrtarë të ndryshëm të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe kryediplomatin e BE-së, Josep Borell, kanë përshëndetur publikisht qëndrimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për propozimin e BE-së.

Këtë plan të BE-së e përkrahin plotësisht edhe Shtetet e Bashkuara, andaj Kosova dhe Serbia janë ftuar disa herë që jenë konstruktive në qasjen ndaj këtij propozimi.

Lexo edhe:

Kurti dhe Bislimi zhvillojnë nesër një drekë punë me Lajçakun

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme