Spitalet rajonale në vend po vazhdojnë të kenë mungesë të oksigjenit, përkundër numrit të madh të pacientëve që kanë nevojë për të. Derisa tashmë që disa muaj nga spitalet rajonale është shprehur nevoja për furnizim shtesë me oksigjen, nga Ministria e Shëndetësisë nuk po i dalin në ndihmë, për shkak që sipas tyre, furnizimi është kompetencë vetëm e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës.
Spitalet rajonale po vazhdojnë të jenë në rezervat e fundit të oksigjenit. Derisa numri i pacientëve me oksigjeno-terapi ka shkuar duke u rritur, as Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, e as Ministria e Shëndetësisë, nuk u ka bërë zgjidhje spitaleve.
Aq më shumë, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se furnizimi me oksigjen nuk është në kompetencën e tyre.
Express i është drejtuar zyrës për informim në këtë ministri, për të ditur nëse do t’i dalin në ndihmë institucioneve shëndetësore të cilat po vazhdojnë të ballafaqohen me mungesë të oksigjenit, por ata kanë drejtuar përgjegjësinë nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës.
Ndërsa, këta të fundit së fundmi kanë pasur probleme me kontratat me operatorët ekonomikë. Tashmë disa herë kontrata për furnizim me oksigjen është pezulluar.
Ai ka deklaruar se brenda 5 ditëve do të nënshkruhet kontrata dhe do të fillojë furnizimi.
“Ne kemi bërë vlerësimin dhe sot i kemi shpallur fituesit. Brenda 5 ditëve nëse nuk ka ankesa do ta nënshkruajmë kontratën. Tani besoj se nuk do të kemi më probleme”, ka thënë ai.
Krasniqi është shprehur se kanë pasur një kontratë me oksigjen, por për shkak të kërkesave të mëdha për furnizim, është dashur ta hapin edhe një tender.
Përndryshe, përkundër mungesës së furnizimit, spitalet rajonale po vazhdojnë të kenë numër të madh të pacientëve.
Aktualisht, 683 pacientë të hospitalizuar në institucionet publike shëndetësore në vend, janë me oksigjeno-terapi.
Nga Spitali i Gjilanit, sot kanë bërë thirrje për furnizim me oksigjen, për shkak të mungesës së tij.
Nënkryetarit Arbër Ismajli, pas mbledhjes së Komitetit të Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, ka thënë se janë duke u bërë përpjekje maksimale me Ministrinë e Shëndetësisë për ta zgjidhur këtë problem.
Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj-Barani ka thënë se problemi kryesor në këtë komunë është mungesa e oksigjenit.
Ajo është shprehur se janë duke u munduar që ta menaxhojnë situatën.
“Problem kryesor është mungesa e oksigjenit dhe mungesa e doktorëve. Megjithatë, po mundohemi të menaxhojmë këtë situatë me të gjitha resurset e mundshme në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimin cilësor dhe të nevojshëm”, ka theksuar ajo.
Ndërsa, nga Spitali i Pejës kanë thënë se deri më tani nuk ka munguar oksigjeni për pacientët, por që furnizimi me të është shumë i vështirë.
Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës, Afërdita Spahiu-Shllaku, ka thënë për Express se problem shumë i madh gjatë kohës së pandemisë në këtë komunë ka qenë mungesa e oksigjenit.
“Problem shumë i madh gjate kohës së pandemisë është edhe mungesa e oksigjenit një prej elementeve kryesor për menaxhimin e pandemisë”, ka thënë ajo.
Përndryshe, për dallim nga spitalet tjera, ai i Prizrenit momentalisht po qëndron më mirë sa i përket furnizimit me oksigjen.
Shefi i Shërbimeve Teknike në këtë spital, Azem Krasniqi, ka bërë të ditur se për momentin janë të furnizuar me oksigjen për shkak se kanë një tanker prej 10 tonësh.
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...
Gjimshiti triumfon ndaj Ismajlit, Atalanta rikthehet në krye...
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë...