Disa spitale në Turqi po iu kërkojnë pacientëve pagesa private, edhe nëse janë të pajisur me Fletëzotim nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Në disa raste zyrtarët e spitaleve po i keqinformojnë pacientët me qëllim që t’i detyrojnë të paguajnë.
Gazeta ka mësuar se disave edhe iu ofrohet rimbursim pas pagesës nga Fondi, por në shumë raste këto para nuk iu kthehen kurrë.
Qytetarët kosovarë me sëmundje të rënda po vazhdojnë të përballen me sfida të shumta në kërkim të shërimit. Shumë prej tyre që shkojnë jashtë vendit, kërkojnë ndihmë financiare nga qytetarë tjerë për t’i mbuluar shpenzimet.
Pothuajse nuk shkon java pa u shpërndarë ndonjë rast në rrjetet sociale, që kërkon ndihmë financiare për shërim jashtë vendit. Më së shpeshti publikohen profatura të spitaleve private në Turqi, shumë prej të cilave kanë hapur zyre përfaqësuese në Prishtinë.
Në shtator dhe tetor të vitit të kaluar është kërkuar ndihmë për shërim për dy fëmijë, njëri nga Dragashi e tjetri nga Mitrovica. Shuma që kërkonin familjet në këto dy raste ishin nga 90 mijë deri në 160 mijë Euro. Të dy pacientët ishin dërguar në Turqi. Paraprakisht kishin marr referimin për trajtim jashtë vendit nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, dhe gjithashtu edhe Fletëzotimet për mbulimin e trajtimit nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSh).
Gazeta ka biseduar me familjarë dhe të afërm të tyre. Në rastin e Dragashit të afërmit e pacientit i kanë thënë Gazetës se kanë marr informacione se FSSh ua mbulon vetëm 10 mijë Euro trajtimin. Ndërkaq në rastin e dytë, zyrtarët e një spitali në Turqi i kishin thënë babait të fëmijës së FSSh do t’ia mbulojë vetëm 28 përqind të trajtimit, kurse pjesën tjetër duhet ta paguajnë vet familjarët.
Spitalet në Turqi deri para pandemisë i kanë pranuar fletëzotimet e lëshuara nga FSSh. Pas pandemisë, spitalet ndaluan së pranuari këtë dokument për shkak të grumbullimit të borxheve rreth 28 milionë euro nga Ministria e Shëndetësisë. Kjo e fundit i ka paguar këto borxhe vitin e kaluar. Por disa nga spitalet sërish nuk po ua pranojnë fletëzotimet pacientëve. Madje sikurse në rastin e sipërpërmendur, zyrtarët e spitaleve po i keqinformojnë pacientët dhe familjarët se FSSh nuk ua mbulon të gjithë koston e trajtimit.
Gazeta ka mësuar poashtu se disa spitale po iu ofrojnë pacientëve dhe familjarëve marrëveshje që të paguajnë privatisht koston e trajtimit kurse pasi të marrin pagesën nga FSSh, do t’ua rimbursojnë atë familjarëve.
FSSh: S’kemi mekanizma, pacientët i përzgjedhin vet spitalet
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore kanë deklaruar se janë në dijeni se disa spitale në Turqi nuk po i pranojnë fletzotimet e lëshuara nga ky institucion. Nga FSSh thonë se përzgjedhjen e spitaleve e bëjnë vet pacientët, andaj ata paraprakisht duhet të sigurohen se spitali do të pranojë fletëzotimin.
“Fondi i Sigurimit Shëndetësore ka informacione qe institucione të ndryshme në Turqi nuk i pranojnë Fletëzotimet. Përzgjedhjen e institucionet shëndetësor nuk e bënë Fondi. Përzgjedhjen e bënë pacienti. Prandaj është në përgjegjësinë e pacientit se cilin institucion përzgjedh. Do te ishte mire qe pacienti te dakordohet paraprakisht me institucionin qe t’i pranohet Fletëzotimi. Ne se detyrojmë dot institucionin për te pranuar Fletëzotimin”, kanë deklaruar nga FSSh.
Tutje nga FSSh kanë sqaruar se shpenzimet e pacientëve mbulohen në përputhjen me çmimoren për shërbime e cila është ne shtojcën e udhëzimit 03/2023, dhe atë ne shumen prej 70% ose 100% për kategori te caktuara sipas UA 03/2023.
“Çmimi referent jo ne te gjitha rastet i mbulon shpenzimet për shërbimet e ofruara nga institucioni. Do te thotë, faturat nga institucioni mund te jene me te larta se sa vlera e çmimit referent ne UA 03/2023. Ndryshimet ne mes te çmimit referent dhe faturës i mbulon pacienti”, thonë nga FSSh.
Por këta mohojnë të jenë në dijeni për manovrimet që po i bëjnë disa nga spitalet në Turqi, duke i keqinformuar pacientët në lidhje me shumën që e mbulon FSSh si dhe duke iu ofruar rimbursim. Nga FSSh thonë se nuk kanë pasur ankesa në lidhje me këto raste.
“Institucionet spitalore janë institucione biznesore dhe se kemi te drejtën te ndërhyjmë ne mënyrën se si ata bëjnë biznes. Institucionin e zgjedh pala, dhe ne si Fond ofrojmë mbështetje financiare aq sa na lejon UA 03/2023. Ankesa me shkrim sa jemi ne dijeni nuk ka, por se hamendësojmë se problemet shfaqen kur ka disproporcion në mes të lartësisë që mbulon Fondi dhe çmimit të shërbimit të cilin e ofron institucioni”, kanë deklaruar nga FSSh.
Nga ky institucion thonë se nuk kanë mekanizma për të ndërhyrë meqë përzgjedhjen e spitaleve e bëjnë vet pacientët, ndërsa zgjidhja për këtë do të ishte nëse do të lidhnin kontratë me institucionet shëndetësore. FSSh thotë se nuk shohin rrezik që të ketë pagesa të dyfishta nga vet pacientët si dhe nga Fondi.
“Fondi nuk mendon qe ka ndonjë rrezik lidhur me çështjen e ngritur sepse barazimi financiar i cili behet me institucionet e pamundëson këtë gjë”, kanë deklaruar nga ky institucion.
Por Gazeta Shneta ka mësuar se disa spitale në Turqi po iu kërkojnë pacientëve që të pagujanë në mënyrë private, dhe në këmbim iu ofrohet rimbursim pasi të marrin pagesën nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i Kosovës. Gazeta poashtu ka mësuar se këto para pacientëve nuk iu janë rimbursuar asnjëherë, e ndonëse ligjërisht do të duhej që paratë t’i ktheheshin sërish Fondit. Këta të fundit thonë se nuk përjashtojnë raste si këto, porse nuk janë në dijeni zyrtarisht.
“Meqë pacienti është vet ai që zgjedh institucionin se ku dëshiron ta marrë shërbimin e nevojshëm shëndetësor, nuk përjashtojmë mundësinë të ketë raste si ky, por që ju sigurojmë se kjo bëhet pa dijeninë e Fondit dhe për këtë, institucioni ynë nuk merr asnjë përgjegjësi. Ju sigurojmë se, nëse Fondi pranon dëshmi të faktuara se pacientët kanë paguar me mjete vetanake pjesën financiare për të cilën është zotuar Fondi, jemi të obliguar që të kërkojmë nga institucioni përkatës kthimin e mjeteve te paguara nga Fondi në xhirollogarinë e Thesarit të Republikës së Kosovës dhe ky është mekanizmi i vetëm me të cilin disponon Fondi”, kanë deklaruar nga FSSh.
Nga FSSh kanë thënë se me rastin e aplikimit të palës/pacientit, Fondi i njofton në detaje në lidhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e pacientit të cilat dalin nga UA 03/2023, ku me këtë rast pala/pacienti (pasi ta ketë kuptuar) nënshkruan deklaratën/njoftimin (shih dokumentin e bashkëngjitur).
“Ju sigurojmë se Fondi bënë përpjekje të vazhdueshme që të përmirësoj dhe lehtësoj procedurat për përkrahje financiare të pacientëve në nevojë, ku në vazhdën e kësaj, në një të ardhme të afërt, shpresojmë që me kontraktimin e institucioneve shëndetësore nga Fondi, do të eliminoheshin dukuritë potenciale si rasti në fjalë”, kanë deklaruar nga FSSh.
Në vitin 2022 Gazeta Shneta ka raportuar për rastin e një fëmije e cila ishte dërguar për trajtim në Turqi por fatkeqësisht kishte vdekur. Për këtë rast spitali ku ishte trajtuar fëmija, e kishte fryrë faturën për dhjetra mijëra euro të cilat FSSh i kishte paguar. Për këtë dhe raste të tjera të raportuara në media në vitin 2022 ishte shkarkuar ish-drejtori i FSSh-së Fatmir Plakiqi.
LDK-ja hap fushatën të shtunën, ky është njoftimi i Abdixhik...
Mbyllja e zyrës tatimore serbe në Mitrovicë, Sveçla: Do të v...
Mbi tre milionë klikime për pak ditë morën ish-kunatat në kë...
Fluturime direkte Shqipëri-Izrael/ Rama: Lajm fantastik për ...
Tre zjarre të shpejta në Los Anxhelos detyrojnë mijëra evaku...
Fehlinger: Kosova dhe Shqipëria po përparojnë si perëndimorë