Rreth 60 për qind e pacientëve në Kosovë, apo çdo i dyti nga tre pacientë, kanë infeksione nga mjekimi intensiv, duke e futur Kosovën në mesin e vendeve në zhvillim me numrin më të madh të infeksioneve në Evropë, thonë ekspertë shëndetësorë.
Sipas shënimeve zyrtare në vendet e zhvilluara, çdo i katërti pacient apo 25 për qind e tyre kanë infeksione në mjekimin intensiv.
Izet Sadiku, zëvendësministër në Ministrinë e Shëndetësisë, njëherësh infektolog, për rubrikën “Fokus” të Radios Evropa e Lirë, thotë se njësia intensive si dhe Klinika e Neonatologjisë janë klinikat më të rrezikuara nga infeksionet.
“Në kuadër të Qendrës Klinike Universitare është ekipi për kontrolle intra-spitalore, i cili është i rregulluar sipas udhëzimit administrativ 2011/0.5, që bën përcjelljen e infeksioneve në klinikat me rrezikshmëri të lartë që janë në QKUK, ku hyn Klinika e Kirurgjisë, Ortopedisë, Hematologjisë, Onkologjisë, me qëllim që të bëhet përcjellja e infeksioneve intra-spitalore”.
“Faktikisht, klinikat më të rrezikuara janë ajo e Neonatolologjisë dhe e mjekimit intensiv, niveli i të cilave është i rritur në këto qendra. Në nivelin e infeksioneve spitalore, i kemi në këto dy njësi, e që në njësinë intensive është 50 për qind derisa në Neonatologji 10 deri 12 për qind, niveli i infeksioneve – shifër kjo që është brenda standardeve, pasi i kanë edhe shtetet në zhvillim”, thotë Sadiku.
Neonatologia Mynavere Hoxha, pohon se shkalla e infeksioneve prej 10 deri në 12, për qind nuk është e lartë.
“Ne kemi mungesë të madhe të shumë gjërave, por falë përkushtimit të mjekëve dhe infermierëve, nuk është shkallë e lartë e infeksioneve brenda klinikës. Nuk ka vend për kënaqësi, por këto janë kushtet që ne punojmë”.
“Në bazë të disa raportimeve që ne i kemi, vlerësohet se shkalla e infeksioneve prej 10 deri në 12 për qind, nuk është e lartë, pasi në vendet e zhvilluara me të gjitha kushtet dhe standardet e kanë deri në 7 për qind nivelin e infeksioneve”, shprehet Hoxha.
Në inspektoratin sanitar të Kosovës, inspektori Ibrahim Tërshnjaku thotë se përveç kushteve, janë një varg faktorësh që përcaktojnë nivelin e higjienës. Sipas tij, Qendra Klinike Universitare si qendër referente për tërë Kosovën, ka një shkallë jo të lartë të infeksioneve në krahasim me vendet e tjera.
“Numri i madh i vizitorëve, aspektit teknik i bartjes së pacientëve, numri i vogël i stafit, e pamundësojnë një nivel të mirë të higjienës në institucione shëndetësore”.
“Megjithatë, ne nuk kemi raporte lidhur me infeksionet apo numrin e shtuar të infeksioneve brenda spitaleve. Në bazë të raporteve që kemi, nuk janë të larta. Tani shërbimi spitalor ka bërë kontratë me operatorë ekonomikë dhe puna vazhdon të kryhet dhe gjendja është e mirë”, deklaron Tërshnjaku.
Ndërkaq, zëvendësministri Sadiku thotë se janë duke punuar në drejtim të përmirësimit të kushteve brenda spitaleve, qoftë me furnizim më të mirë të aparaturës, por edhe infrastrukturës, përmes donacioneve e edhe nga buxheti i shtetit.
“Në Kosovë do të krijohen kushte më të mira, pasi janë projekte në vazhdim, dhe niveli i infeksioneve të jetë më i ulët, pasi do të ndërtohet Spitali Pediatrik dhe do të investohet edhe në njësi tjera”, shpjegon Sadiku.
E, në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik kanë bërë të ditur tashmë se dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi kryhen brenda klinikave me kërkesë të menaxherëve të klinikave.
Në vitin 2011 super-bakteret, që janë rezistente ndaj antibiotikëve, në Qendrën Klinike Universitare kanë qenë të pranishme duke shënuar një rast të vdekjes. Këtë e pati konfirmuar edhe një klinikë gjermane.
Megjithatë, gjashtë vjet më vonë, nuk ka shenja dhe as të dhëna nëse baktere të tilla, apo të ngjashme, mund të ketë ende brenda spitaleve të Kosovës.(REL)
Konfirmohet rasti i patë i Lisë së majmunëve në Kosovë
IKD: Procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorëve-kryesisht me...
Rama me magjinë e rrugës për në Kolonjë, uron një ditë të mb...
Guterres: Bombardimet e Izraelit në Jemen janë jashtëzakonis...
Hasani e thotë me bindje: Shqipëria do jetë anëtare e BE-së ...
Real Madridi ndryshon emrin e stadiumit Santiago Bernabeu pë...