Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle, përmes platformës online “Zoom”, ka thënë se pas vizitës në Kosovë, Kadri Veseli është transferuar në Hagë më 11 janar.
Gjatë konferencës për medie të mbajtur të enjten, Doyle ka dhënë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
Sipas tij, këtë javë, Veseli udhëtoi drejt Kosovës për një vizitë nën ruajtje.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake udhëzoi Zyrën Administrative të organizonte këtë vizitë nën arrest drejt Kosovës për z. Veseli që të vajtojë me familjen, dhe që u lejua për arsye humanitare bindëse. Gjatë vizitës, i akuzuari qëndroi në paraburgim dhe nën ruajtje nga Dhomat e Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës mbështetën Dhomat e Specializuara të Kosovës gjatë vizitës”, ka thënë ai.
Ai bëri të ditur se po ashtu më 11 janar, rifilluan seancat për çështjen gjyqësore Gucati dhe Haradinaj.
Tutje, tha se një nga gjykatësit u paraqit përmes video-lidhjes për shkak të kufizimeve prej Covid-19.
“Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, gjykatësit e trupit gjykues duhet të jenë të pranishëm në të gjitha fazat e procesit dhe seancat nuk mund të mbahen në mungesë të një gjykatësi. Gjykatësi rezervë mund të zëvendësojë një gjykatës me kohë të plotë vetëm në rastet kur ky i fundit përgjithnjë nuk mund të vijojë të marrë pjesë në një çështje gjyqësore, ndërron jetë ose jep dorëheqjen”, ka thënë ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas Doyle, seancat filluan me paraqitjen e provave prej Mbrojtjes së Haradinajt.
“Dëshmitari i parë ishte vetë z. Haradinaj. Në fillim të dëshmisë, trupi gjykues pranoi deklaratën e tij si provë. Deklarata lidhet me të shkuarën e tij, mendimin rreth DHSK-së dhe ZPS-së, interpretimin e tij të “interesit publik” dhe veprimet e sjelljen e tij sa u takon veprave penale për të cilat ngrihen akuzat. Më pas, z. Haradinaj iu parashtruan pyetje nga Mbrojtja e vet”, bëri të ditur Doyle.
Gjithashtu tha se mbrojtja e Gucatit nuk kishte pyetje për Haradinaj.
“Pyetjet nga ana e Prokurorisë filluan ditën e mërkurë dhe pritet të përfundojnë sot ose nesër. Dëshmitari tjetër në çështjen gjyqësore Gucati dhe Haradinaj pritet të fillojë dëshminë nesër ose të hënën”, ka thënë ai.
Tutje, tha se në çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës, konferenca përgatitore për ecurinë e çështjes është planifikuar të mbahet nesër pasdite, në të cilën palët do të diskutojnë aspekte që përfshijnë nxjerrjen e provave nga prokuroria për mbrojtjen dhe ecurinë e hetimeve nga palët.
Kurse, tha se gjykimi i Salih Mustafës do të rinisë të martën, 18 janar, me dëshminë e dëshmitarit Ë04485, të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Ky dëshmitar pritet të dëshmojë me masa mbrojtëse, ku përfshihet ndryshimi i zërit dhe fytyrës”, ka thënë ai.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...