Specialja u vazhdon paraburgimin Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

17:13 | 23 Dhjetor 2021
Arditë Shkodra

Trupi gjykues në rastin e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, u ka vazhduar paraburgimin edhe pas informacionit të kërkuar nga Policia e Kosovës.

Nga Policia e Kosovës janë kërkuar informata në lidhje me autoritetin dhe aftësinë, (në veçanti, për sa i përket personelit dhe burimeve në dispozicion) për të kufizuar lëvizjet e individëve që i nënshtrohen lirimit të përkohshëm, për të monitoruar dhe kufizuar komunikimet e individëve të tillë, për të administruar arrestin shtëpiak, shkruan arbresh.info

Në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Haradinaj kuptohet se paneli bie në konkluzion që ende ekziston rreziku që nëse i njëjti lirohet mund të pengojë procedurat e KS, dhe të kryej vepra penale apo të përsërisë ato. Kurse besohet se vetëm në objektet paraburgimit të Dhomave të Specializuara Haradinaj mund të kontrollohet në mënyrë efektive për të zbutur rreziqet e lartpërmendura.

“Siç u konstatua më parë, është vetëm përmes kornizës së monitorimit të komunikimit të zbatueshëm në objektet e paraburgimit të Dhomave të Specializuara që komunikimet e z. Haradinaj mund të kontrollohen në mënyrë efektive me synimin për të zbutur mjaftueshëm rreziqet që ai të pengojë procedurat e KS ose të kryejë krime të mëtejshme”, thuhet në vendim.

Ndërsa për Gucatin thuhet se në kushtet e listuara në Regjimin e propozuar nuk mund të zbusin mjaftueshëm rrezikun që ai të pengojë procedurat duke shpërndarë informacion konfidencial, ose duke kërcënuar viktimat apo bashkëpunëtorët.

“Në dritën e sa më sipër, Paneli konstaton se kushtet e listuara në Regjimin e propozuar nuk mund të zbusin mjaftueshëm rrezikun që z. Gucati të pengojë procedurat duke shpërndarë ose lehtësuar shpërndarjen e informacionit konfidencial ose të mbrojtur ndryshe dhe duke kërcënuar ose ndikuar në këtë mënyrë dëshmitarët, viktimat ose bashkëpunëtorët”, thuhet në vendim.

E kështu paneli ka konstatuar se e regjimi i propozuar është i pamjaftueshëm për të zbutur në mënyrë adekuate rreziqet sipas nenit 41(6)(b)(ii)-(iii) të Ligjit në lidhje me Gucatin dhe se çdo kusht shtesë i vendosur nga Paneli nuk do të ndikojnë në këtë përfundim.

Akuza ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës e UÇK-së Hysni Gucati dhe ndaj nënkryetarit të saj Nasim Haradinaj është konfirmuar më 14 dhjetor 2020. Ajo mbështetet në dyshimin e bazuar se midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj kanë zbuluar pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, duke penguar punën e kësaj gjykate.

Gucati dhe Haradinaj kanë mohuar akuzat. Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë dhe që nga ajo kohë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara në Hagë./ArditëShkodra/arbresh.info/

 

Të ngjashme