Specialja shpall sot vendimin për Gucatin e Haradinajn

07:29 | 18 Maj 2022
S D

Sot duke filluar nga ora 10:00-12:00 do të mbahet seanca për shpalljen e aktgjykimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në rastin e ish-drejtuesve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Përmbledhje e aktakuzës

Në aktakuzë parashtrohet se  midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020,  në tri konferenca për shtyp dhe transmetime të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacion të mbrojtur nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfshirë  të dhëna personale të disa dëshmitarëve (të mundshëm). Gjithashtu, të akuzuarit bënë komente nënçmuese dhe akuzime kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të dëmtuar Dhomat e Specializuara.

Akuzat përfshijnë dy pika për kryerjen e veprave penale  kundër rendit publik, konkretisht pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare (Pika 1 dhe 2) dhe katër pika të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administrimit publik.  Këto janë frikësimi gjatë procedurës penale (Pika 3), hakmarrja (Pika 4) dhe shkelja e fshehtësisë së procedurës (Pikat 5 dhe 6).

Historiku i çështjes

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.

Paraqitjet e para të z. Haradinaj dhe z. Gucati si të dyshuar u mbajtën para Gjykatësit të Vetëm, Nikola Giju, përkatësisht më 29 shtator dhe 1 tetor 2020.

Më 11 dhjetor 2020, Gjykatës Nikola Giju, në cilësinë e tij si Gjykatës i Procedurës Paraprake, konfirmoi aktakuzën kundër dy të akuzuarve. Aktakuza e korrigjuar u dorëzua më 5 korrik 2021 dhe një version më pak i redaktuar u dorëzua më 4 tetor 2021.

Paraqitjet e para të dy të akuzuarve para Gjykatësit të Procedurës Paraprake u mbajtën më 18 dhjetor 2020. Hysni Gucati u vetëdeklarua i pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat, ndërsa Nasim Haradinaj nuk  bëri vetëdeklarim brenda 30 ditësh nga paraqitja vijuese e tij që u mbajt më 8 janar 2021. Për këtë arsye, në bazë të rregullës 92(2)(f) të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, bëri vetëdeklarimin e pafajësisë në emër të tij.

Më 16 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjyqësore Trupit Gjykues II.

Gjykimi filloi më 7 tetor 2021. Më 10 nëntor 2021, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) mbylli paraqitjen e provave të veta.

Mbrojtja e Gucatit filloi paraqitjen e provave të veta më 3 dhjetor 2021, e ndjekur nga Mbrojtja e Haradinajt më 15 dhjetor 2021. Të dy ekipet e Mbrojtjes mbyllën paraqitjen e provave të tyre më 2 shkurt 2022.

Procedura e paraqitjes së provave në këtë çështje u mbyll më 3 shkurt 2022.

Gjatë 31 ditëve që zgjati gjykimi, ZPS-ja thirri katër dëshmitarë ndërsa të dy ekipet e Mbrojtjes u mbështetën në dëshmitë gojore të 10 dëshmitarëve dhe 18 deklaratave me shkrim të dëshmitarëve.

Deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga data 14 deri më 17 mars 2022./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme