Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes platformës online “Zoom”, ka thënë se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kranisiqit është miratuar pjesërisht kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të pranohen si prova deklaratat me shkrim të disa dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi në çështje të tjera.
Në konferencën për informimin javor të datës 11 janar 2024, Doyle tha se kjo kërkesa përfshinte edhe deklaratat e disa dëshmitarëve që tashmë kanë vdekur.
“Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 15 dhjetor, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë për të pranuar si prova deklaratat me shkrim të disa dëshmitarëve, përfshirë të dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi në çështje të tjera dhe më pas kanë vdekur”, tha Doyle.
Zëdhënësi i DhSK-së tha se Ligji i DhSK-së përcakton se dëshmitë e dhëna në TPNJ dhe në gjykata të Kosovës mund të pranohen në gjykime.
“Ligji i DHSK-së, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, përcakton se dëshmitë e dhëna para TPNJ-së dhe gjykatave të Kosovës mund të pranohen në gjykime. Në përputhje me këtë, Rregullorja e Procedurës dhe Provave e përcakton se dëshmitë me shkrim të personave që ndërkohë kanë vdekur mund të pranohen në qoftë se gjykatësit binden se “deklarata, incizimi ose transkripti është prima facie i besueshëm…” Si me të gjitha llojet e provave, u takon gjykatësve gjatë gjykimit të përcaktojnë peshën dhe vlerën e këtyre deklaratave në kontekstin e çështjes gjyqësore në përgjithësi”, tha Doyle duke theksuar se me 18 dhjetor, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët autorizoi Prokurorinë t’i bënte redaktime të mëtejshme një prove shfajësuese, siç e lejon Rregullorja, për mbrojtjen e një dëshmitari.
Duke folur për zhvillimet në këtë çështje gjyqësore, Doyle tha se me 15 dhjetor trupi gjykues urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për Thacin dhe Veselin
“Për të dy të akuzuarit, gjykatësit konstatuan se ekziston ende rreziku se do të pengojnë ecurinë e procesit dhe të kryejnë krime të tjera kundër atyre që konsiderohet se janë kundër UÇK-së, ku përfshihen dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje. Trupi Gjykues është i mendimit se këto rreziqe mund të zvogëlohen vetëm me anë të kornizës së monitorimit të komunikimeve që përdoret në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara, përfshirë masat e urdhëruara rishtazi nga Trupi Gjykues”, tha zëdhënësi i DHSK-së.
Ai tha se me 19 dhjetor trupi gjykues në çështjen Thaci dhe të tjerët miratoi pjesërisht kërkesën e mbrojtjes se Krasniqit dhe Selimit për të apeluar një vendim të mëparshëm që lidhet me disa deklarata të mëparshme të të akuzuarve të pranohen si prova.
“Më 19 dhjetor, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht kërkesat nga Mbrojtja e Krasniqit dhe Mbrojtja e Selimit për të apeluar një vendim të mëparshëm lidhur me atë nëse disa deklarata të mëparshme të të akuzuarve mund të pranohen si prova. Kryetarja e Dhomave të Specializuara caktoi gjykatësen Mishelë Pikar, gjykatësin Emilio Gati dhe gjykatësen Nina Jorgensen në Panelin e Gjykatës së Apelit për të vendosur në lidhje me këto aspekte”, tha Doyle.
Doyle tha se trupi gjykues ka vendosur edhe mbi ankesat e paraqitura nga Selimi e që pastaj iu bashkuan edhe Thaci e Veseli lidhur me zbatimin e vendimit të 1 dhjetorit për modifikimin e kushteve të paraburgimit për tre nga ata.
“Më 20 dhjetor 2023, Trupi Gjykues vendosi mbi ankesat e paraqitura nga z. Selimi (të cilave iu bashkuan z. Thaçi dhe z. Veseli) në lidhje me zbatimin e Vendimit të Trupit Gjykues të 1 dhjetorit për modifikimin e kushteve të paraburgimit për tre të akuzuarit. Trupi Gjykues e refuzoi kërkesën si të parakohshme, duke theksuar se këto kërkesa i dorëzohen fillimisht drejtpërdrejt Administratores dhe, në qoftë se refuzohen, të paraburgosurit mund të kërkojnë rishikim gjyqësor të vendimit të Administratores nga Trupi Gjykues”, tha Doyle duke theksuar se seancat e radhës në këtë çështje gjyqësore do të fillojnë nga 15 janari.
Ai po ashtu tha se katër seanca që janë planifikuar që të zhvillohen për në shkurt në këtë cështje gjyqësore janë anuluar.
“Katër seanca që më parë ishin planifikuar të zhvilloheshin në shkurt në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët u anuluan, pas një kërkese nga Mbrojtja e Veselit. Trupi Gjykues konstatoi se Mbrojtja paraqiti arsye të vlefshme për të bërë një ndryshim të vogël të kalendarit, për të siguruar që aftësia e Mbrojtjes për t’u përgatitur për pyetjet e dëshmitarëve të ardhshëm të mos cenohej nga vdekja e papritur kohët e fundit enjë prej bashkëmbrojtësve të ekipit”, tha Doyle duke shtuar se me 3 janar, administratorja informoi trupin gjykues për miratimin e avokatës Kerrie Ann Rowan si bashkëmbrojtjese e Kadri Veselit.
Ndërsa, në çështjen gjyqësore ndaj Haxhi Shalës është vendosur që gjuha e punës të jetë anglishtja. Doyle theksoi se në konferencën e parë për ecurinë e cështjes ndaj Haxhi Shalës, ky i fundit u deklarua i pafajshëm për tri akuzat e paraqitura në aktakuzën ndaj tij.
Sipas Doyle, në po të njëjtën çështje gjyqësore, me 19 dhjetor u mor vendim kornizë mbi nxjerrjen e provave dhe çështjeve të lidhura me të e që u caktuan disa afate për këtë proces që ndryshe njihet si nxjerrja e provave.
Doyle njoftoi se me 14 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake me 14 dhjetor urdhëroi prokurorin që të dorëzojë aktakuzën e përbashkët për Haxhi Shalë, Ismet Bahtjarin dhe Sabit Januzin brenda 12 janarit 2024. Po ashtu, ai njoftoi se si avokat mbrojtës i Januzit u emërua Jonathann Elistan Riss, mbrojtës i Bahtjarit u emërua Felicity Gerry si dhe për Haxhi Shalën u emërua si mbrojtës, avokati Toby Cadman.
Zëdhënësi i DhSK-së, njoftoi se seancat për çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës kanë filluar këtë javë. Ai tha se të martën dhe të mërkurën u dëgjua dëshmitari i 10-të i Mbrojtjes, Safet Gashi. Ai shtoi se gjatë seancave në gjykimin ndaj Pjetër Shalës u dhanë edhe disa urdhra.
“Seancat në çështjen Pjetër Shala rifilluan këtë javë. Dëshmitari i 10-të i thirrur nga Mbrojtja, Safet Gashi, dha dëshmi pa masa mbrojtëse, të martën dhe të mërkurën. Gjatë seancës së djeshme, gjykatësit dhanë disa urdhra me gojë, një prej të cilëve kishte të bënte me një kërkesë të Mbrojtjes për të shtuar aktekspertizën e një psikologeje në listën e provave materiale në këtë çështje gjyqësore dhe për ta thirrur atë të japë dëshmi në sallën e gjyqit. Trupi Gjykues urdhëroi që dëshmitarja dhe aktekspertiza, për të cilat Trupi Gjykues konstatoi se janë relevante për përcaktimin e dënimit në rast se i dënuari shpallet fajtor, të shtohen në listën e dëshmitarëve dhe të provave të Mbrojtjes. Sidoqoftë, gjykatësit rrëzuan kërkesën që ajo të japë dëshmi në sallën e gjyqit. Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 9 janar Trupi Gjykues lëshoi vendimin e pestë mbi redaktimet e transkripteve, ku përfshihej riklasifikimi si publik i disa pjesëve të seancave gjyqësore që u mbajtën në seancë private mes datave 23-25 tetor”, tha Doyle./BetimipërDrejtësi
G7 konfirmon zotimin për të vendosur masa të ashpra ndaj Rus...
“24 orë i ki me Xheneten, se tani dal une!”, Driloni ngacmon...
Spiropali në Azerbajxhan: Jo më qëndrime asimetrike në përba...
Në Prishtinë vendoset pllaka përkujtimore e dëshmorit Ismet ...
Veshja më e shtrenjtë në historinë e boksit – Jake Paul kish...
Irani mohon që i dërguari i tij në OKB është takuar me Elon ...