Specialja ofron informacione të përditësuara mbi gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, si dhe për rastin e Shalës e Mustafës

16:14 | 24 Gusht 2023
E.H

Angela Griep, shefe për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka dhënë informacionet e fundit mbi gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, si dhe për rastin e Pjetër Shalës.

Në lidhje me çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, Griep, tha se versioni i redaktuar i “Raportit të Katërmbëdhjetë mbi Kërkesat e Viktimave për Pjesëmarrje në Proces”, i cili fillimisht është dorëzua si konfidencial, është bërë publik më 23 gusht dhe se mund të gjendet në ueb-faqen e DHSK-së.

Sipas saj, në këtë raport, Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave i ka përcjellë trupit gjykues kërkesat e nëntë viktimave, me rekomandimin që ato të pranohen, të marrin pjesë në proces si pjesë e grupit të viktimave pjesëmarrëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E njëjta tha se më 23 gusht, Paneli i Gjykatës së Apelit ka hedhur poshtë kundërshtimin nga mbrojtja, ndaj vendimit të trupit gjykues për t’i lejuar ZPS-së të paraqiste për pranim, prova të cilat nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me ndonjë prej dëshmive të dëshmitarëve.

Kurse, bëri të ditur se seancat për këtë çështje do të rifillojnë të hënën e ardhshme, më 28 gusht.

Sa i përket çështjes së Shalës, Griep, ka njoftuar për pikat e rendit të ditës që janë diskutuar në seancën e sotme, në konferencën për përgatitjen e mbrojtjes.

Po ashtu, ajo tha se trupi gjykues ka pranuar një numër provash gjatë javës së kaluar, duke miratuar një numër kërkesash të Prokurorisë, mbrojtjes dhe mbrojtësit të viktimave.

Tutje, ajo bëri të ditur se javën e kaluar është bërë publik një vendim i mëhershëm në lidhje me pranimin e provave në këtë çështje gjyqësore.

Sipas saj, në vendimin e 4 korrikut 2023, trupi gjykues ka pranuar si prova deklaratat me shkrim të pesë dëshmitarëve që nuk është e mundur të dëshmojnë në gjykatë, katër prej të cilëve shkaku se kanë ndërruar jetë.

Griep, tha se trupi gjykues e ka bazuar vendimin në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave dhe në vendimin që mori për secilën deklaratë me shkrim që ndër faktorë të tjerë, deklarata ishte e besueshme, që nuk cenonte dhe nuk binte ndesh me të drejtat e të akuzuarit, dhe se ishte relevante dhe autentike.

Gjithashtu, Griep ka dhënë informacione edhe në lidhje me çështjen gjyqësore të Salih Mustafës.

Ajo tha se Paneli i Apelit ka caktuar mbajtjen e një seance të apelit më 26 dhe 27 tetor 2023.

Griep bëri të ditur se sipas rendit të ditës, në seancë do të përfshihen deklarata të Kryegjykatëses dhe argumente me gojë nga mbrojtja, Prokuroria dhe mbrojtësja e viktimave.

Krejt në fund, ajo informoi se më 18 gusht, ZPS ka njoftuar gjykatësin e vetëm të DHSK-së se Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj Driton Lajçit.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme