Specialja e shpall fajtor dhe e dënon Pjetër Shalën me 18 vjet burgim

15:05 | 16 Korrik 2024
K.B

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, e ka shpallur fajtor për krime lufte dhe e ka dënuar Pjetër Shalën me dënim të njësuar prej 18 vjetësh burgim, në të cilin llogaritet koha e parakaluar në paraburgim.

Ndryshe Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Sipas aktakuzës, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e luftës në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para gjykatësit të procedurës paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Më 15 dhjetor 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesën e një individi për t’u pranuar si viktimë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Më 11 gusht 2022, në vendimin e tij të dytë në lidhje me pjesëmarrjen e viktimave, Gjykatësi i Procedurës Paraprake pranoi një person tjetër si viktimë pjesëmarrëse në procesin gjyqësor në këtë çështje. Gjashtë viktima të tjera u pranuan më 19 shtator 2022. Më 9 shkurt, Trupi Gjykues vendosi që procedurat për dëmshpërblim dhe ato penale do të zhvillohen njëkohësisht në këtë çështje dhe se, në rast të shpalljes fajtor, Trupi Gjykues nuk do t’i referojë viktimat për padi civile në gjykatat e Kosovës, në përputhje me nenin 22(9) të Ligjit dhe rregullës 167 të Rregullores, por do të nxjerrë një Urdhër për Dëmshpërblim, në përputhje me nenet 22 (9) dhe 44 (6) të Ligjit. Në vendimin e vet, të bërë publik më 6 mars 2023, Trupi Gjykues e zgjati afatin për dorëzimin e kërkesave të viktimave për pjesëmarrje në procedura deri në mbylljen e paraqitjes së provave nga ZPS-ja.

Më 28 janar 2022, ZPS-ja e dorëzoi si rreptësishtë konfidenciale dhe ‘ex parte’ dosjen e vet paraprake. Versioni konfidencial i redaktuar i dosjes paraprake të Prokurorisë u dorëzua më 31 janar ndërsa versioni me më pak redaktime (ende konfidencial) u dorëzua më 8 shkurt 2022. Më 14 prill 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzoi versionin e redaktuar publik të dosjes paraprake të saj. Më 21 prill 2023, u dorëzua versioni i redaktuar publik i dosjes paraprake të Mbrojtjes.

Më 14 prill 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, në urdhrin e tij gojor, caktoi 31 gushtin si datë paraprake për kalimin e dosjes trupit gjykues. Më 20 korrik 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake caktoi 21 shtatorin 2022 si datë të re paraprake. Më 15 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake njoftoi Kryetaren se dosja e çështjes do të jetë gati për t’u kaluar më 21 shtator 2022.

Më 21 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I. Konferenca përgatitore për gjykimin u mbajt brenda periudhës 18-20 tetor 2022.

Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar, të përfaqësuesit të viktimave dhe të Mbrojtjes. Më 6 korrik 2023, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.

Më 21 gusht 2023, Mbrojtësi i Viktimave paraqiti provat. Konferenca Përgatitore e Mbrojtjes u mbajt më 24 dhe 25 gusht 2023. Më 15 shtator 2023, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzës për vrasje të paligjshme (pika 4), në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së. Paraqitja e provave prej Mbrojtjes nisi më 20 shtator 2023. Më 15 janar 2024, Mbrojtja e Pjetër Shalës njoftoi për mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave të saj./rtk

Të ngjashme