Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka njoftuar se Prokuroria e Specializuar në Hagë e ka konfirmuar se më 1 prill të vitit 2025 do të mbetet data e synuar për mbylljen e paraqitjes së provave për procesin gjyqësor në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Griep, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se ky vendim është marrë në konferencën e mbajtur më 20 mars mbi ecurinë e kësaj çështje gjyqësore. Sipas saj, aty u diskutua me palët për aspekte të ndryshme lidhur me zhvillimin e procesit me qëllim të përgatitjes së shpejtë për gjykim.
“Deklaratat hyrëse nga Prokuroria, mbrojtësi i viktimave dhe Mbrojtja janë planifikuar të mbahen me 3, 4 dhe 5 prill 2023, ndërsa paraqitja e provave nga Prokuroria është planifikuar të fillojë më 11 prill 2023. Ju lutemi kini parasysh se kërkohet regjistrim paraprak për anëtarët e medias ose publikut që dëshirojnë të përcjellin deklaratat hyrëse nga galeria publike në Hagë dhe, për shkak të interesit të lartë dhe hapësirës së vogël, mund të ketë disa kufizime. Për personat e regjistruar paraprakisht do të jepet informacion më i hollësishëm javën e ardhshme”, ka thënë Griep.
Ndër të tjera, është bërë e ditur se në të njëjtën çështje gjyqësore, Tijana Kostiq është caktuar si mbrojtëse për shtatë individët që iu rrëzua kërkesa për të marrë pjesë si viktima në procesin gjyqësor.
Po në çështjen gjyqësore, trupi gjykues më 17 mars 2023 urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm. Ata janë në paraburgim nga nëntori i vitit 2020.
Po ashtu, Griep dha detaje edhe për rastin e Salih Mustafës, për të cilin tha: “Në çështjen gjyqësore Salih Mustafa, Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi kërkesën e z. Mustafa për apelimin e Vendimit të Panelit mbi Modalitetet e Pjesëmarrjes së Viktimave në Procedurat e Apelit, në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Supreme. Paneli konstatoi, ndër të tjera, se Ligji i kufizon apelet e shqyrtuara nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Supreme vetëm në apelet kundër aktgjykimeve nga Paneli i Gjykatës së Apelit, kur aktgjykimi kthen vendimin e pafajësisë në vendim fajësie, ose kur jepet vendim me burgim të përjetshëm, që nuk është rasti këtu. Paneli konstatoi më tej se korniza ligjore e DHSK-së nuk parasheh apele të ndërmjetme gjatë procedurave të apelit”./arbresh.info
Sot shënohet 80-vjetori i çlirimit të Tiranës
I mituri kanos me thikë një grua në shtëpinë e saj në Kaçani...
Gazetari kanoset përmes telefonit, rastin e lajmëron në poli...
Nën kërcënimin e thikës, hajnat vjedhin para në një market n...
Arrestohet pjesëtari i policisë në Ranillukë, dyshohet se u ...
Aksident me 7 persona të lënduar në Maliq të Shqipërisë