Google ADS

Specialja deklarohet për Arbresh.info rreth lirimit me kusht të Thaçit dhe garancinë e ofruar nga Policia e Kosovës

18:41 | 1 Dhjetor 2021
Arditë Shkodra

Gjatë ditëve të fundit ka qarkulluar një lajm nëpër media se Dhomat e Specilizuara të Kosovës në Hagë të Holandës kanë refuzuar lirimin me kusht e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Mirëpo këtë gjë e kundërshton Shefja e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun të Gjykatës Speciale, Angela Griep.

Në një përgjigje për arbresh.info Griep ka thënë se vendimi i fundit i gjyqtarit të procedurës paraprake që urdhëron vazhdimin e paraburgimit të Thaçit ishte konfirmuar më 27 tetor 2021, dhe se deri më tani nuk është marrë asnjë vendim i ri nga gjyqtari i procedurës paraprake sa i përket rishikimit të paraburgimit për Thaçin.

“Vendimi i fundit i gjyqtarit të procedurës paraprake që urdhëron vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi është vërtetuar nga Gjykata e Apelit më 27 tetor 2021. Deri më tani nuk është dhënë asnjë vendim i ri nga gjyqtari i procedurës paraprake për rishikimin e paraburgimit për z. Thaçi”, ka thënë Griep.

Ndërsa sa i përket garancisë së ofruar nga Policia e Kosovës, Griep për arbresh.info sqaron se gjyqtari i procedurës paraprake mund të vendos për vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarve, duke marrë për bazë të gjitha informatat në dispozicion, duke përfshirë këtu edhe parashtresat nga Mbrojtja dhe Prokuroria e Specializuar si dhe çdo informacion nga Policia e Kosovës.

“I takon gjyqtarit të procedurës paraprake që të vendosë për vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarve, bazuar në të gjitha informatat në dispozicion, duke përfshirë parashtresat nga Mbrojtja dhe Prokuroria e Specializuar dhe çdo informacion i siguruar nga Policia e Kosovës. Palët mund të ankohen kundër vendimit të tillë në Kolegjin e Gjykatës së Apelit”, ka sqaruar Griep.

Kujtojmë që Thaçi dhe të tjerët u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, më 4 dhe 5 nëntor 2020.

Ndryshe, më 9 nëntor 2020 Thaçi dhe Krasniqi u paraqitën për herë të parë para Gjykatësit të Procedurës Praprakae, Nikolas Giju, Gjatë këtyrë seancave ata u vetëdeklaruar të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës.

Ndërsa seancat e paraqitjes së parë të Veselit dhe Selimi u mbajtën më 10 dhe 11 nëntor, të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjithat akuzat.

Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes. Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së.

Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së./ArditëShkodra/arbresh.info/

Të ngjashme